Të dielën në Shtetet e Bashkuara u shënuan të dhëna shqetësuese lidhur me pandeminë e koronavirusit, ndërsa numri i vdekjeve tejkaloi 350 mijë rastet. Nju Jorku iu bashkua Kalifornisë, Teksasit dhe Floridës me më shumë se një milion raste të regjistruara. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Illinois.
Pandemia e koronavirusit vazhdon të sfidojë Shtetet e Bashkuara edhe në ditët e para të vitit të ri. Sistemi shëndetësor i Kalifornisë është i mbingarkuar. Ambulancat presin me orë për të dorëzuar pacientë të rinj. Qarku i Los Anxhelosit është pa diskutim epiqendra e pandemisë në ShBA. Drejtoresha e Departamentit të Shëndetit Publik në këtë qark ka një kërkesë për banorët. “Nuk po u kërkojmë njerëzve që të mos takojnë familjarët për gjithë jetën. Po u kërkojmë të mos takohen gjatë javëve të ardhshme ndërsa shpërndajmë vaksinën”, thotë Dr. Barbara Ferrer, Drejtore e Departamentit të Shëndetit Publik në Los Anxhelos.
Zyrtarët në Karolinën e Veriut po ndërtojnë spitale të inprovizuara për të rritur kapacitetet. Në Masaçusets, që nga dita e falenderimeve, numri i pacientëve të shtruar në spital është rritur me 60 për qind . “Gjatë tre ditëve të fundit, kemi tejkaluar numrin e pacientëve që kishim në spital në pranverë“, thotë Dr. Eric Dickson. Katër shtete ende nuk kanë vaksinuar as një përqind të popullësisë. Në qarkun Knox të Ohajos, gjysma e departamentit të shëndetësisë dhe 60 për qind e punonjësve të urgjencës zgjodhën që për momentin të heqin dorë nga vaksina.
“Nuk do t’i detyrojmë por donim të kishim më shumë pajtueshmëri”, thotë Mike Dewine, Guvernator i shtetit të Ohajos. Por shumë janë të etur për t’u vaksinuar. Kryetari i Bashkisë së Hjustonit vizitoi klinikën e parë publike të vaksinimit, e cila planfikonte shpërndarjen e 750 vaksinave, por nevojat janë për 250 mijë të tilla. “Do na duhet të shkojmë në qendra të mëdha të furnizimit”, thotë Sylvester Turner. Sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins ShBA ka mbi 20 milionë e 430 mijë të infektuar me COVID-19 dhe mbi 350 mijë viktima që nga fillimi i pandemisë.
Top Channel