Vrasja e 36-vjeçarit shqiptar në Itali, ekspertiza zbardh detajin tronditës: U qëllua për vdekje nga më pak se 14 metra

30/09/2026 11:36

Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e shqiptarit Gjovalin Lazri, 36 vjeç, në Baldissero d’Alba të provincës së Cuneos, Itali. Ekspertiza balistike ka përcaktuar se të shtënat fatale janë kryer nga një distancë që, me shumë gjasë, nuk i kalonte 14 metra.

Sipas rindërtimit të hetuesve, Roberto Mollo, 35 vjeç, u zgjua nga zhurmat e grabitësve që kishin hyrë gjatë natës në pronën e familjes së tij. Ai dyshohet se u ngjit nga kati përdhe në ballkonin e katit të parë dhe, pasi pa hijet e personave që ndodheshin jashtë, hapi zjarr me pistoletën gjysmë automatike.

Në vendngjarje u gjetën 12 gëzhoja, të gjitha të grumbulluara në një pikë të vetme të banesës. Ky detaj i ka bërë hetuesit të mendojnë se Mollo ka qëlluar nga një pozicion i vetëm dhe në të njëjtin drejtim.

Tre elektrik dore u sekuestruan nga autoritetet. Një prej tyre u gjet pranë trupit të Lazrit. Sipas ekspertizës, personat që ndodheshin në shënjestër fillimisht mendohej se ishin në një distancë prej 10 deri në 30 metrash.

Megjithatë, analizat balistike tregojnë se ka shumë gjasa që distanca reale të ketë qenë jo më shumë se 14 metra. Një prej plumbave goditi në qafë Gjovalin Lazrin, duke i shkaktuar plagën fatale.

Gjatë ekspertizës, e cila zgjati më shumë se pesë orë, specialistët përsëritën disa herë qitjen me seri prej pesë plumbash për të analizuar trajektoret dhe për të përcaktuar nëse pozicioni i qitësit përputhej me vendndodhjen e gëzhojave.

Në ekspertizë morën pjesë prokurorja e Asti-t, Laura Deodato, avokatët e palëve dhe ekspertët e tyre. Autoritetet pritet të kryejnë edhe një këqyrje të re gjatë natës, pa të shtëna, për të verifikuar kushtet e dukshmërisë në vendngjarje. Synimi është që kushtet e ndriçimit, përfshirë ato të natës kur ndodhi ngjarja, të krahasohen sa më saktë.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar me saktësi sekondat në të cilat ndodhi përplasja dhe për të përcaktuar rrethanat e plota të vrasjes.

Top Channel