“Tentoi t’a shtypte dy herë me makinë”, nëna rrëfen tmerrin në Torino: Djali im 5-vjeçar ishte në shënjestër

30/09/2026 12:00

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Torino të Italisë, pasi një fëmijë 5-vjeçar u përplas nga një makinë mbrëmjen e 26 shtatorit. Nëna e tij pretendon se drejtuesja e automjetit tentoi t’a godiste fëmijën dy herë.

Ngjarja lidhet me një konflikt sentimental. Sipas dëshmisë së nënës, ajo ndodhej së bashku me djalin dhe partnerin e saj kur u shfaq automjeti i drejtuar nga Camilla D’Alessandra, 24 vjeçe, e cila akuzohet për tentativë vrasjeje.

“Ajo tentoi t’a përplaste djalin tim dy herë”, ka deklaruar nëna, duke treguar se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh.

Sipas rrëfimit të saj, partneri i kërkoi të largohej drejt trotuarit, ndërsa ai do të fliste me drejtuesen e automjetit. Por, kur makina iu afrua, gruaja thotë se nuk dinte nëse duhej të qëndronte aty apo të vraponte.

Ajo pretendon se automjeti fillimisht përplasi fëmijën dhe më pas, pasi u kthye mbrapsht, avancoi sërish duke goditur edhe atë dhe partnerin e saj. Pas ngjarjes, drejtuesja e makinës u largua nga vendi.

Ndërkohë, avokati i D’Alessandras, Cristian Scaramuzzino, jep një version tjetër. Ai deklaron se klientja e tij është e tronditur nga ajo që ka ndodhur, ka qarë dhe është interesuar për gjendjen shëndetësore të fëmijës.

Sipas mbrojtjes, përplasja nuk ka qenë e qëllimshme, ndërsa avokati kundërshton pretendimin se e reja kishte synuar të godiste fëmijën.

Hetimet dhe procesi gjyqësor do të duhet të sqarojnë dinamikën e saktë të ngjarjes dhe nëse përplasja ka qenë e qëllimshme apo aksidentale.

Top Channel