Rreth 10 ditë pas humbjes së befasishme 0-3 ndaj Fiorentinës, Juventus rikthehet të fitojë në “Allianz Stadium”, pasi ia doli të mposhtë Udinesen me rezultatin e pastër 4-1 mbrëmjen e sotme.

Me Moratën e ndalur në seancën e fundit stërvitore, Pirlo i besoi dyshes Dybala-Ronaldo në sulm dhe pikërisht portugezi kaloi në avantazh bardhezinjtë në minutën e 31-të, pas një pasimi të marrë nga Ramsey.

Në fillim të pjesës së dytë CR7 asistoi për Chiesën në golin e dytë dhe më pas shënoi golin e tretë duke kompletuar dopietën personale. Udinese gjeti golin e vetëm me Zeegelar në minutën e 90′, ndërsa në shtesë pati kohë edhe për një gol nga Dybala, që shënoi të dytin personal këtë sezon.

Arbitri Giacomelli anuloi dy gola mbrëmjen e sotme, fillimisht atë të De Paul për Udinesen dhe më pas të Ramsey për Juven, ndërsa vlen të theksohet se friulianët goditën dy herë traversën e portës së Szczesnyt.

Me këtë fitore Juventus ngjitet në vendin e 5-të me 27 pikë të grumbulluara, 10 më pak se Milani kryesues, ndërsa të mërkurën në mbrëmje do të përballet pikërisht me kuqezinjtë në “San Siro”.

Top Channel