Projekti Vlorë-Orikum/ Rama: Të qash e të qeshësh! Do presim edhe pak që Meta të lexojë sqarimet që i kemi nisur

04/01/2021 21:27

Sot Kryeministri Edi Rama akuzoi presidentin Meta se po bllokon projektin për infrastrukturën në Vlorë-Orikum, e pas kësaj Presidenca i është përgjigjur kryeministrit dhe ka publikuar një shkresë duke theksuar se në disa raste Meta ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave dhe ajo e Jashtme lidhur me marrëveshjen e huas me Fondin Saudit për Zhvillim.

“Nuk kemi dashur të bëjmë debat publik të politizuar për këtë por është fakt që qysh nga fillimi i nëntorit që presim plotfuqinë për një autorizim formal nga presidenti pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin Saudit dhe faktikisht është bllokim total sepse në momentin që nuk i jepet plotfuqia ne nuk e realizojmë dot.

Është një fond i konsiderueshëm për të zhvilluar projektin në dy drejtime. E para gjithë rehabilitimin dhe sistemimin e kësaj rruge që është deri poshtë në Radhimë dhe pastaj në Orikum plus rrugën tjetër sepse pjesën e Radhimës e kemi premtuar me kohë sepse do ta bëjmë duke futur elementë të lungomares”, tha Rama sot në Vlorë.

Ndërkohë sipas Presidencës, Meta jo vetëm nuk ka bllokuar punimet, por “ ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë“.

Pas këtij reagimi të fundit Rama shkruan në Twitter se: Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën!

Statusi nga Rama

Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!

Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!

Top Channel