Roma, Napoli dhe Atalanta e nisën me këmbën e mbarë vitin 2021, ndërkohë që Lazio vazhdoi serinë e rezultateve negative, duke ngecur në nje barazim 1-1 ndaj Genoas.

Fitore minimale për Romën e Fonsecas në kryeqytet në përballjen ndaj Sampdorias së Ranierit. Sfida e Olimpicos u vendos nga një gol i kapitenit Edin Dzeko në minutën e 72-të pas asistit të holandezit Karsdorp.Roma me këtë sukses ruajti vendin e 3-të të renditjes me 30 pikë.

U rikthye te suksesi Napoli që arriti të merrte një fitore të thjeshtë në transfertën e Sardenjës ndaj Cagliarit vendas. Zielinski zhbllokoi sfidën në fraksionin e parë, ndërkohë që skuadra e Di Francescos arriti të barazonte me Joao Pedron pas 60 minutash lojë. Por festa e sardëve zgjati pak, pasi Napoli realizoi edhe 3 herë të tjera me Zielinskin, Lozanon dhe Insignen me penallti. Një fitore kjo që e ngjiti përkohësisht në vendin e 4-t skuadrën e kaltër.

Falë një dygolësh të Duvan Zapatas dhe falë finalizimeve të Pessinas, Gosens dhe Muriel, Atalanta triumfoi lehtësisht 5-1 ndaj Sassuolos duke e nisur në mënyrën më të mirë vitin 2021.

Goli i Ciro Immobiles me penallti nuk i mjaftoi Lazios që nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Genoas në transfertë me skuadrën ligure që arriti të barazonte me Destron.

Frymëmarrje për Torinon që triumfoi 0-3 në transfertën ndaj Parmës duke iu larguar disi fundit të renditjes. Barazim pa gola mes Fiorentinës dhe Bolognas në “Artemio Franchi”, ndërkohë që Verona triumfoi 0 me 1 në transfertën ndaj Spezias.

Top Channel