Qarkullonte me pistoletë në lagjen “Ali Demi”/ Ndalohet 30-vjeçari në Tiranë, sapo pa Policinë…

02/01/2021 15:51

Një person është ndaluar nga efektivët e policisë në Tiranë, në përpjekje për t’u larguar me armë me vete, në lagjen “Ali Demi”.

Bëhet fjalë për shtetasin R.L., 30 vjeç, i cili  në momentin që ka parë policinë ka hedhur armën në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap.

Ai është kapur gjatë ndjekjes nga ana e efektivëve të policisë, dhe arma që posedonte është sekuestruar.

Njoftimi i policisë/ Tiranë

Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia lokalizon dhe vë në pranga 30-vjeçarin.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.

Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit.

Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel