“Provokim”/ Ambasada Ruse reagon pas fjalëve të Ramës: S’e kuptojmë pse u mërzit kryeministri! Na vjen keq që vullneti i mirë merret si provokim

30/12/2020 14:07

Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama e cilësoi një provokim dhe madje kërkoi dhe një ndjesë nga ambasada ruse, për deklaratën e tyre për të furnizuar me vaksinën Sputnik-v Shqipërinë ka reaguar sërish kjo e fundit.

“Kam menduar se ka qenë një meme, ajo që pashë, që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter-i i drejtorit të komunikimit, Endri Fugës, një retweet të tweet-it të shefes se KE-së. Mendova se ishte një meme, për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla, dhe kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak, dhe nuk është mirë që një vend serioz si Rusia të bëhet qesharake përmes këtyre postimeve dhe një ambasadë të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhje, sepse nuk shoh arsye. Ne jemi të fokusuar te Pfizer dhe AstraZeneca. Shtetet të cilat ne komunikojmë në BE janë të fokusuara drejt këtyre kompanive. Një ndjesë e ambasadës ruse do ishte shumë e mirëpritur”, tha Rama më herët.

Për këto fjalë Ambasada ruse thotë se nuk e kuptojnë mërzitjen e kryeministrit ndërsa thotë se: Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë.

“Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t`u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit”, thuhet në fund të deklaratës.

Reagimi i plotë

Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook më 28 dhjetor të këtij viti.

Ambasada vetëm reagoi ndaj re-twitit të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së (https://twitter.com/endrifuga/status/1342754317560918018?fbclid=IwAR3QRUK_mivD6gG9x4EMlnYus64SI0oxWKjhKXiBL34rBkA_hKdWn8E3AEE dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të

vaksinave për popullatën e vendit https://top-channel.tv/2020/12/24/vaksina-e-covid-rama-vendim-per-te-ardhur-keq-nga-be-do-te-sjelle-tepricat/?fbclid=IwAR21pnyiJLNrMsMNli4rKCfWbsbtU4ier1wcaL89IBNrnELtS1EDIg9cevk

Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë. Në Rusi nuk ka dyshime se bashkimi i përpjekjeve të të gjitha shteteve, që kanë kryer kërkime shkencore dhe kanë teknologjitë përkatëse, do të ndihmojë njerëzimin të kapërcejë këtë fatkeqësi dhe të kthejë qytetërimin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë.
Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t`u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit.

Top Channel