Tërmeti i nëntorit/ 3 familje në Farkë futen në banesat e reja, Veliaj: Brenda datës 31 dhjetor do strehojmë sa më shumë familje

29/12/2020 14:30

Tërmeti i 26 nëntorit 2019, Dashamir Pacin, Ylli Troksin dhe Muhamet Deliun i la të pastrehë.

Por sot, ata morën në duar dokumentet e pronësisë së banesës të saporindërtuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Kemi rastin e Kroacisë: tërmeti ra në mars të këtij viti, në shtator ata kaluan ligjin për ndihmat dhe ende s’ka nisur rindërtimi i shtëpisë së parë. Do të thotë se nëse ka vullnet, edhe një qytet apo shtet modest si i yni, mobilizohen të gjithë, si një skuadër, për t’ia dalë mbanë”, tha Veliaj.

Sipas tij, Shqipëria ka bërë shumë me procesin e rindërtimit dhe është vetëm çështje kohe që edhe familjet e tjera të marrin çelësat. Kryebashkiaku shtoi se deri më 31 dhjetor do të sistemohen sa më shumë familje në shtëpitë e reja.

“Shtëpia është një ndër investimet më të rëndësishme në jetë. Njeriu punon tërë jetën për shtëpinë e katandinë. Kur ta merr tërmeti, je realisht në nevojë, por është fakt se ke edhe një shtet të fortë që të mbështet”, tha ai.

Veliaj theksoi se procesi i rindërtimit ka qenë transparent, të gjithëve u është shërbyer njësoj, pa dallim.

“Kjo nuk bëhet po s’pati bashkëpunim, qoftë për përgatitjen e dosjeve, qoftë për procedurat e tjera, për të qenë transparentë me të gjithë ata që kanë dhënë para, si shteti shqiptar apo shtetet e huaja. Kemi qenë transparentë edhe me qytetarët, kemi bërë shtëpinë e dikujt që është nevojë, me katër fëmijë, që ka jetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa bërë asnjë dallim në është i majtë apo i djathtë, i veriut apo jugut”, deklaroi ai.

Këto ditë festash, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe operacionin “Kutia”, që u vjen në ndihmë fëmijëve nga familje me kushte të vështira ekonomike. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që këtë fundvit të jenë më solidarë me njerëzit në nevojë.

“Bashkia është përfshirë në operacionin “Kutia”, duke i çuar fëmijëve kuti me lodra, që të gëzojnë të gjithë. Ky ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë, ndaj thirrja për qytetarët është: nëse i keni mundësitë, nëse Zoti ju ka dhënë begati, ndajeni me të tjerët! Bashkia ka përgatitur mbi 30 mijë pako: lodra për fëmijët dhe për pako ushqimore për familjet”, tha Veliaj.

Deputeti i PS-së, Sadi Vorpsi nënvizoi se sfida për rindërtimin vazhdon, falë fondit të siguruar nga qeveria shqiptare nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA