Tërmeti i fuqishëm në Kroaci/ Shkon në 7 numri i të vdekurve, numërohen dhjetëra të plagosur

29/12/2020 21:15

Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter në Kroaci. Mësohet se deri më tani 7 persona kanë humbur jetën, mes tyre një 12-vjeçare, ndërkohë që dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Epiqendra, sipas ekspertëve gjermanë, ishte në një thellësi prej 10 km, ndërsa dëshmitarët thonë se lëkundje e dhunshme të tokës zgjatën më shumë se 20 sekonda.

Dëmet janë të mëdha. Qendra e Petrinjas, që ishte dhe më afër epiqendrës, thuhet të jenë rrënuar krejtësisht. Mes godinave të shembura është dhe një spital lokal. Të tmerruar, banorët vërshuan nëpër rrugë e vende të hapura.

Kryebashkiaku Darinko Dumbovic konfirmoi vdekjen e të paktën një fëmije, një vajze 12 vjece, e lëshoi një apel urgjent për ndihmë. “ Qyteti im është shkatërruar i gjithi. Nuk mund të përshkruar, është si një Hiroshima. Kemi nevojë për ndihmë”.

Presidenti i vendit, Zoran Milanovic kujtoi tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri. “Vitin e kaluar Durrësi, dhe ky është praktikisht një tërmet me fuqinë e njëjtë. Do të duhen shumë para. Kjo do të kalojë përmes BE-së. Nuk shqetësohem, ky qytet do të rindërtohet, por askush nuk mund të kompensojë dëmin emocional”, u shpreh ai.

Tërmeti i Kroacisë u ndje deri ne BosnjeHercegovinë, Serbi e Itali. Një ditë më parë, një lëkundje toke me magnitudë më të ulët goditi pjesën qendrore të Kroacisë dhe në Zagreb duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, në një kohë kur në muajin mars, një tërmet i magnitudës 5.3 Rihter  shkaktoi dëme të konsiderueshme në kryeqytetin kroat.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel