Neni 163, Kodi Zgjedhor/ Partia Bindja Demokratike, kërkesë në Kushtetuese për shfuqizimin e ndryshimeve

29/12/2020 10:32

Partia Bindja Demokratike, me koordinator Astrit Patozin ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, konkretisht të nenit 163 të tij, ku përcaktohet mënyra e shpërndarjes së mandateve të deputetëve.

“Ashtu siç kishim lajmëruar 2 muaj më parë, me konstituimin e trupës kushtetuese, ne depozituam padinë ndaj Kodit Zgjedhor. Ndryshe nga partitë e tjera, që kundërshtojnë Kodin Zgjedhor, ne e bëjmë me akte konkrete. Ne kundërshtojmë nenin 163, që i mbyll listat e kandidatëve për deputet, ndërsa kushtetuta i hap ato”, tha përfaqësuesi i BD-së, Fabian Topollaj, pasi depozitoi padinë në Kushtetuese.

Ndërkohë, në orën 11:00 pritet që Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare të ankimojë gjithashtu nenin 163 të kodit të ri Elektoral, pasi Myslim Murrizi ka kundërshtuar herësin për ndarjen e mandateve të vendosur në Kodin e ri Zgjedhor.

Neni 163 lidhet me herësin që përftohet nga pjesëtimi dhe nëse ai është një numër me mbetje dhjetore, merret numri i plotë më i afërt. Lëvizja Demokratike Shqiptare pritet të dalë e vetme në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm, pasi kryetari i saj e sheh me rezerva bashkëpunimin me dy ish-funksionarët e lartë të Partisë Demokratike.

Kreu i LDSH-së ka refuzuar rekomandimin e Komisionit të Venecias, i cili kërkoi vetëpërmbajtje nga kryetarët  e partive për të mos kandiduar  në 4 zona elektorale, teksa konfirmon se Tirana dhe Fieri janë dy zgjedhjet e sigurta të tij.

 

 

Top Channel