Zemërim mbi Berlinin/ Polemika për kuotat e vaksinave: Më shumë doza Gjermanisë

28/12/2020 14:14

Evropa hyri në ditën e dytë të fushatës së vaksinimit, por ndërkohë kanë mbërritur edhe polemikat e para.

Brukseli kishte garantuar kuota simbolike për të gjitha vendet anëtare për ditën evropiane të vaksinimit antiCovid, por siç tregojnë numrat, nuk ka qenë kështu. Italisë iu dorëzuan nga Pfizer 9750 doza vaksine, Francës dyfishi në të njëjtën ditë. Por, zemërimi më i madh derdhet mbi Berlinin. Gjermanisë i kanë shkuar më shumë se 151 mijë doza.

Fushata e vaksinimit pritet të zgjasë për gjithë vitin 2021, por kritikat dhe polemikat kanë qenë të menjëhershme. Veçanërisht e pakënaqur është Italia, sipas të cilës, pas një menaxhimi të pandemisë jo gjithnjë të shënjuar nga uniteti, BE donte të festonte, të paktën si moment simbolik, fillimin e fushatës së vaksinimit antiCovid në unison. Gjermania, Sllovakia dhe Hungaria, në fakt, i prishën radhët duke dhënë dozat e para që të shtunën.

Gjermania, ku e ka selinë edhe BioNTech, por ku sidoqoftë vaksinat mbërritën nga fabrika e Pfizer-it në Belgjikë, ka marrë 151125 doza vaksine, 9750 për secilin nga 16 rajonet e saj. E njëjta shifër, i është shpërndarë edhe shumë shteteve evropiane, përfshirë Italinë, Spanjën, Bullgarinë, Kroacinë, Hungarinë, Slloveninë etj. Ndërkohë që në Francë, ka mbërritur dyfishi i dozave, 19.500.

Top Channel