Tottenham Hotspur nuk arriti të rikthehej te fitorja në Premier League as në transfertën që mbylli javën e 15-të ndaj Wolves, pasi një gol i Saiss, 4 minuta para fundit të kohës së rregullt bëri të pavlefshëm finalizimin që në sekondat e para të Ndombele.

Jose Mourinho nuk e fshehu zhgënjimin në fund të sfidës për një fitore që i shpëtoi nga duart sërish për fare pak.

“Një pikë ndaj Wolves normalisht nuk do të ishte e keqe, pasi ata janë një ekip i fortë. Por të shënosh gol në minutën e parë dhe të kesh 89 minuta të tjera kohë për të mbyllur ndeshjen dhe të mos e bësh, atëherë zemërohesh.

Ekziston ndjenja e zhgënjimit. Tani kemi një mundësi tjetër ndaj Fulham, që është një skuadër që po luan mirë. Do të jetë një sfidë e vështirë. Kemi luajtur kohët e fundit me ekipe të mëdha, tani nuk do e kemi të thjeshtë ndaj Fulham dhe Leeds. E njoh mirë skuadrën time, askush nuk e njeh më mirë se unë. Ndaj Wolves na mungoi diçka: ambicia për të bërë diçka më shumë“, deklaron Jose Mourinho.

Top Channel