(FOTO) Çmendet moti në Britani/ Stuhia shkul pemë e sjell përmbytje

27/12/2020 13:39

Erëra me shpejtësi mbi 170 km/h janë përplasur mbi Mbretërinë e Bashkuar, teksa stuhia Bella solli rrebeshe shiu e rrezik përmbytjesh.

Dy paralajmërime për vërshime të befta uji janë dhënë për rajonin e Northamptonshire-it. Autoritetet lokale flasin për ngrica e përmbytje potencialisht vdekjeprurëse në këtë zonë. Në total janë lëshuar 204 paralajmërime përmbytjesh në mbarë vendin, e problemet kanë nisur tashmë me të gjithë trenat e bllokuar, ndërmjet Bournemouth-it dhe Southampton Central-it për shkak të vërshimit të ujërave dhe rrëzimit të disa pemëve mbi shina.

Alarmi i nivelit portokalli është në fuqi për rrezikun e borës dhe akullit në veriun e Anglisë, Skoci, Irlandën veriore dhe disa pjesë të Wales-it. Në Cornwall, më shumë se 100 shtëpi mbetën pa energji elektrike, ndërsa mediat vendase thonë se stuhia Bella ka shkulur pemë nga rrënjët, e ka rrëzuar të tjera nëpër rrugë. Meteorologët paralajmërojnë se mbrëmjen e së dielës dhe të hënën, dëbora dhe akulli mund të përbëjnë rrezik për lëvizjen në disa rajone qendrore të vendit, ndërsa me afrimin e ndërrimit të viteve, temperaturat do të ulen e ndonëse mund të mos mungojnë ditët më diell, nuk përjashtohet dhe mundësia e ndonjë rrebeshi dimëror.

Në Bosnje, me qindra emigrantë janë jashtë nëpër tenda teksa vendi përballet me reshjet e dëborës dhe një ulje të menjëhershme të temperaturave. Refugjatët në kampin e Lipas po përpiqen t’i bëjnë ballë acarit duke lëvizur të mbështjellë me batanije. Pas zjarrit që ra atje në fillim të javës, rreth 1000 vetë, të mbetur pa ngrohje rrezikohen seriozisht nga ngricat.

“Po nuk na ndihmuat, do të vdesim”, shprehen ata.

Sipas parashikimeve, edhe Milano e Italisë mund të zbardhet nga bora mbrëmjen e sotme, teksa afrimi i një fronti të ftohtë arktik ishte parashikuar që për Krishtlindje.

 

 

FOTO GALERI
1/13

Top Channel