Reali i Madridit triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Granadës, falë golave të Casemiro dhe Benzema, duke u ngjitur në krye të renditjes me 32 pikë, po aq sa ka edhe Atletico e Madridit, por me ndryshimin që “Los Colchoneros” kanë luajtur dy ndeshje më pak.

Në përfundim të sfidës, trajneri Zinedine Zidane u shfaq i çliruar dhe i lumtur që skuadra e tij ia doli të marrë tri pikët, pasi theksoi se përballja me Granadën ishte mjaft e komplikuar dhe e vështirë.

“Ishte një ndeshje shumë e ndërlikuar dhe shumë e vështirë, pasi kundërshtari kishte ardhur vetëm për të shtyrë topin dhe për të kaluar minutat. Pjesa e parë sidomos, ishte vërtetë e vështirë, por në të dytën u shfaqëm shumë më mirë dhe e merituam fitoren. Jam i lumtur me paraqitjen e lojtarëve të mi”, u shpreh Zidane.

Pas një fillimi të vështirë, Reali i Madridit ia ka dalë në rikthehet në rrugën e duhur, sepse pasi siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ka regjistruar edhe 5 fitore radhazi në kampionat, duke u rikthyer fuqishëm në garën për titullin kampion.

“Ne kemi humbur dhe do të humbim edhe ndeshje të tjera, pasi kjo është e pashmangshme, por lojtarët i kanë përballuar me qetësi kritikat dhe kanë punuar me kokën ulur, për t’u rikthyer në rrugën e duhur. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”, deklaroi trajneri madrilen.

Top Channel