Aventura e Thomas Tuchel në stolin e Paris Saint Germain ka marrë fund paraditen e sotme, me klubin kampion të Francës që ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit gjerman, vetëm pak orë pas fitores me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Strasburgut.

Pavarësisht se skuadra është në vendin e tretë në kampionat, vetëm dy pikë larg kreut dhe ka siguruar kalimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, Tuchel nuk ia ka dalë të ruajë vendin e punës në pankinën e PSG-së.

Marrëdhëniet e tij me drejtuesit e klubit dhe kryesisht brazilianin Leonardo, nuk kanë qenë aspak të mira, gjë që është reflektuar edhe në deklaratat publike mes palëve, ndaj divorci pritej prej disa javësh, por erdhi pikërisht sot.

Tashmë 47-vjeçar, Thomas Tuchel u ul në stolin e Paris Saint Germain në maj të 2018-ës, për të zëvendësuar spanjollin Unai Emery dhe gjatë dy sezoneve të plota, arriti të fitojë dy tituj kampion në Francë dhe të çojë skuadrën deri në finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin që lamë pas, ku humbi me rezultatin minimal 1-0.

Sipas mediave franceze, argjentinasi Maurizio Pocchetino dhe italiani Massimiliano Allegri janë emrat favoritë për të marrë vendin e Tuchel në stolin e PSG-së.

Së fundi Leonardo ka kontaktuar me të dy trajnerët, por në orët e ardhshme do të mësohet se cili është i përzgjedhuri për të stërvitur Neymarin me shokë.

Top Channel