Pandemia e koronavirusit ka rënduar shumë mbi krishtlindjen e këtij viti me miliona njerëz në botë të detyruar të anulojnë planet ose të reduktojnë festimet nën masat e reja shtrënguese si pasojë e virusit.
Pas një viti të mbërthyer nga pandemia, kur bota pa më shumë se 1.7 milionë njerëz të humbin jetën nga pandemia, një rikthim i infektimeve është një kujtesë fikse se pavarësisht fillimit të vaksinimit në disa vende, jeta nuk ka gjasa të kthehet shpejt në normalitet. Papa Francesku, lideri shpirtëror i 1.3 miliardë katolikëve të globit, e mbajti meshën e krishtlindjes në sheshin e Shën Pjetrit para më pak se 200 besimtarëve me maska, kryesisht punonjës të shtetit të vogël të vatikanit. Mesha që tradicionalisht mbahet në mesnatë, u zhvillua këtë radhë në orën 7.30 minuta në respektim të rregullave në Itali.
Mesha e mbrëmjes së krishtlindjes nderon traditën kristiane të lindjes së Jezusit të Nazaretit në Betlehem. Dhe papa argjentinas, kujtoi se lindja e një fëmije na sjell në mend të mos i kalojmë ditët tona duke u ankuar por të fshijmë lotët e atyre që vuajnë duke i shërbyer të varfërve. Ndërsa mesazhi Urbi Et Orbi, drejtuar qytetit dhe botës, i papës, do të transmetohet përmes videos, për të evituar mbledhjen e turmave në sheshin e Shën Pjetrit.
Ndërsa në Betlehem, vendin ku të krishterët besojnë se Jezusi lindi, krishtlindjet e këtij viti ishin të paprecedenta në histori. Mesha e krishtlindjes në kishën e lindjes së krishtit, ishte e mbyllur për publikun dhe u transmetua online, me vetëm klerikët dhe pak të ftuar të lejuar në bazilikën që më herët u dezinfektua.
Një procesion u mbajt drejt sheshin Manger, nën sytë e turmave të palestinezëve me maska që mbushën rrugët nën qiellin gri dhe një shi të imët.
Top Channel