Kushtetuesja bëhet funksionale/ Gjykata duhet të shqyrtojë dosjet e nxehta, nga zgjedhjet te Teatri Kombëtar

24/12/2020 15:14

Pas kalvarit të gjatë të procesit përzgjedhës të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet mbrojtësi i Kushtetutës nga cënimet e mundshme të pushtetit shtetëror.

Gati dy vjet nga rënia e rojes së Kushtetutës për shkak të vettingut, gjyqtari kushtetues Përparim Kalo, i cili u betua para presidentit menjëherë pasi u dekretua është anëtari i gjashtë i Gjykatës, që konsiderohet numër i domosdoshëm për të formuar kuorumin. Tanimë gjyqtarët kushtetues kanë numrin e duhur për të zbritur në arenën gjyqësore, ku dhe do të ushtrohet kontroll mbi disa akte të legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ishte e mundur të mbikëqyreshin.

Burime pranë Gjykatës Kushtetuese tregojnë se janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 32 të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike. Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e kryeministrit kundër presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.

Në njërën prej tyre kërkohet shpallja e papajtueshme e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe në tjetrën kundërshtohet një vendim i 8 majit 2020, në të cilën Teatri Kombëtar i kaloi bashkisë dhe tjetra gjithashtu, edhe çështja e pronave, sipas padisë së shoqatës kombëtare “Pronësi dhe Drejtësi”.

Që nga viti 1992 kur dhe u krijua, në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar parime të rëndësishme duke nisur nga shpallja si antikushtetues të ligjit për dënimin me vdekje, ligji i lustracionit, deti , vettingu e kthimi dhe kompensimi i pronave. Veç dosjeve që e presin , ku kërkohet garantimi i të drejtave të qytetarëve, për Gjykatën e re Kushteuese ka dhe një provim tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo. Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, që ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme dhe kjo do të thotë se dikush duhet të shpejtojë ritmin për të krijuar numrat e duhur për në Gjykatën Supreme.

Top Channel