“Krerët të jenë të paanshëm”/ Raporti për institucionet e pavarura, Spiropali: Element kyç i mbikëqyrjes së pushteteve!

23/12/2020 11:17

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka ndarë në seancën e sotme plenare një analizë të detajuar të institucioneve të pavarura.

Spiropali tha se ato janë element kyç i mbikëqyrjes së pushteteve që sigurojnë kontrollin, balancat, respektimin dhe sundimin e ligjit.  Ajo tha se qeveria ka rritur zbatueshmërinë e rekomandimeve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit apo KLSH.

Platforma e Kuvendit është angazhim i drejtpërdrejt i kryetarit të Kuvendit për të intensifikuar bashkëpunimin institucional, institucionet e pavarura, ekzekutiv me qëllim rritjen e kontrollit parlamentar, rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura dhe rritjen e llogaridhënies nga ekzekutivi. Edhe në buxhetin e 2021 institucioneve të pavarura iu është siguruar një mbështetje buxhetore progresive në rritje në çdo vit, në mandatin tonë qeverisës, pikërisht për të ushtruar me sa më shumë efikasitet mandatin e tyre mbikëqyrës, rekomandues dhe auditues mbi ekzekutivin dhe institucionet e tjera.

Platforma ndërinstitucionale online vjen në frymën e rritjes së kontrollit parlamentar nga ana e Kuvendit duke nxitur një sistem transparent dhe një vlerësim më efikas mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve nga ekzekutivi dhe agjencitë e varësisë. Si ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin në emër të qeverisë e kam theksuar që në krye të herës si e një rëndësie të veçantë, krijimin e një rrjeti të koordinatorëve të veçantë, përfaqësues në çdo ministri. Ndjekja dhe raportimi në mënyrë të posaçme i ecurisë së zbatueshmërisë së rekomandimeve dhe vendimeve të institucioneve të pavarura është një nga hapat e domosdoshëm që kanë lehtësuar komunikimin dhe kanë ofruar dhe afruar qasjen e duhur të këtyre institucioneve me ekzekutivin duke koordinuar në mënyrë periodike mbi çdo raportim”, deklaroi Spiropali.

“Niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve referuar në përqindje për vitet 2018-2020, duke filluar nga avokati i popullit dhe komisionerët ka qenë 45%, ndërsa KLSH 83 %.

Për vitin 2019, zbatueshmëria ka qenë 62%, ndërsa KLSH 75%. Për vitin 2020, zbatueshmëria është llogaritur për periudhën janar-shtator. Zbatueshmëriua ka qenë në 84 % për avokatin e popullit dhe komisionerët dhe 75% për KLSH”, shtoi më tej.

Spiropali, teksa po raportonte për punën e institucioneve të pavarura, u drejtua me një mesazh krerëve të tyre. Ajo i bëri thirrje drejtuesve të këtyre institucioneve që të bëjnë detyrën e tyre dhe nëse kanë aspirata politike është më e ndershme ti drejtohen partive politike.

“Ne duam të bëjmë një thirrje që këto institucione me mbështetjen që kanë të bëjnë në mënyrë strikte detyrën para ligjit dhe nëse drejtues të tyre kanë aspirata politike për 2021 dhe për zgjedhjet do ishte më e ndershme ti drejtohen partive politike. Ne detyrën tone e kemi bërë dhe presim që edhe ato të bëjnë detyrën”, tha Spiropali.

Top Channel