524 apartamente/ Lagjja e re në Laç, Rama: Simbol i duarve të shtrënguara të solidaritetit mes Shqipërisë dhe Turqisë

23/12/2020 12:18

Nga i ashtuquajturi, kantier i rilindjes së Laçit, një bashkëpunim ky i qeverisë shqiptare me atë turke, kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se një transformim rrënjësor e pret qytetin e vogël.

Rama bëri me dije se zona e parë e lagjes së re, e cila financohet nga qeveria turke do të përfshijë 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare dhe njësi shërbimi e infrastrukturë. Ndërkohë zona e dytë mundësohet nga qeveria shqiptare.

Po kështu kryeministri u shpreh  se do të ndërtohet një godinë e re e bashkisë, disa shkolla si dhe një spital i ri.

“Për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re, e cila është e ndarë në dy zona, zona më e madhe po ndërtohet nga themelet falë kësaj mbështetjeje dhe zona tjetër që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë. Një lagje simbole e duarve të shtrënguara të solidaritetit, e cila do të jetë këtu për kohë që vijën si dëshmi e kësaj marrëdhënieje të veçantë ms dy vendeve, dy qeverive. Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para por angazhuan menjëherë forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat dhe kam pasur privilegjin që t’i takoj forcat turke të kërkim-shpëtimit dhe të shoh nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin me të cilin djemtë e ardhur nga Turqia shpëtuan jetë shqiptare duke mos lejuar që gërmadhat t’i merrnin me vete”, tha Rama.

Më tej shtoi:

“Më pas presidenti Erdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik me një event të madh në të cilën ka apeluar për solidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e  500 apartamenteve dhe së bashku me një mik të mirë, ministrin turk kemi filluar punën mbështetur te eksperienca e madhe e agjencisë turke”.

Top Channel