Maqedonia e Veriut regjistroi 22 viktima me COVID-19 dhe 129 të infektuar, shifra më e ulët kjo e rasteve të reja në katër muajt e fundit.

Për herë të parë numri më i madh i viktimave nuk është nga Shkupi ku janë regjistruar vetëm 3 të vdekur. Në vend të parë për numër viktimash kalon Prilepi. Ndërkohë është shënuar po kështu një rekord i të shëruarve, gjithsej 1.122 persona apo gati dhjetë herë më shumë se numri i të infektuarve.

Në Maqedoninë e Veriut, që nga muaji mars, me COVID-19 janë diagnostikuar 78.434 persona e mbi 2.300 të vdekur. Drejtuesit e institucioneve kanë apeluar për respektimin e masave shtrënguese që janë në fuqi; si mbyllja e objekteve të gastronomisë në orën 18.00, ndërsa nuk lejohet grumbullimi i më shumë se katër personave në ambiente publike, apo organizimi i manifestimeve në sheshet e qyteteve.

Më herët, drejtues të Dhomës së Pavarur të Gastronomëve kanë deklaruar se çdo vendim për kufizim të mëtejshëm të punës, do të godasë këtë dhe sektorë tjerë të ekonomisë, përfshirë edhe atë të hotelerisë, të cilët kanë anuluar të gjitha rezervimet e bëra për festat e fundvitit.

Top Channel