Lloj i ri koronavirusi, 70% më shumë ngjitës/ Holanda pezullon fluturimet me Britaninë deri më 1 janar

20/12/2020 13:13

Holanda ka pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe deri më 1 janar 2021, pas përhapjes së një mutacioni të koronavirusit të ri (COVID-19) në këtë vend.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Holandës thuhet se duke nisur nga ora 06:00 janë ndaluar fluturimet drejt Britanisë. Pas rekomandimit të Institutit Shtetëror të Shëndetësisë dhe Mjedisit të Holandës (RIVM) thuhet se vendimi i marrë do të jetë në fuqi deri më 1 janar.

“Brenda disa ditësh, vendet e tjera të BE-së dhe Holanda do të bisedojnë në kuadër të masave që do të ndërmerren për të ulur rrezikun e transmetimit të llojit të ri të virusit nga Britania”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se një rast i ngjashëm që tregon karakteristika të njëllojta me “llojin e ri të COVID-19 që përhapet më shpejt”, i cili është i pranishëm në juglindje të Britanisë është vërejtur në muajin dhjetor në vend.

Parajmërimi “mos udhëtoni në mënyrë kategorike nëse nuk është e nevojshme”

Në deklaratë bëhet e ditur se zhvillimet po ndiqen nga afër dhe se mendohen kufizime shtesë lidhur me udhëtimet tokësore dhe detare.

Qeveria e Holandës thekson se udhëtimet jashtë vendit do të shkaktojnë përhapjen e COVID-19, ndërsa ka bërë paralajmërimin që të mos udhëtohet në mënyrë kategorike, nëse nuk është e nevojshme.

Kjo ndalesë erdhi pasi dje, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe një grup shkencëtarësh deklaruan se në vend është zbuluar një lloj i ri i virusit, që është 70 përqind më shumë ngjitës (infektues).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA