Liverpool “luan tenis” me Crystal Palace dhe shkëputet në krye, fiton edhe City

20/12/2020 00:53

Liverpool ka triumfuar me rezultatin e thellë 0-7 në transfertën londineze ndaj Crystal Palace dhe është shkëputur në krye të renditjes së kampionatit me 31 pikë, plot 6 më tepër se Tottenham i vendit të dytë.

Dy herë Roberto Firmino, Henderson, Minamino, Mane dhe dy herë Salah shënuan për “the reds” që dominuan plotësisht ndeshjen dhe nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren në këtë transfertë, që pritej të ishte më e vështirë sesa rezultoi në fushë.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi në 3 ditët e fundit për Liverpool, që ka nisur kështu shkëputjen në krye të renditjes, pavarësisht një starti të dobët që e mbajti për disa javë larg kreut.

Rikthehet te fitorja pas dy barazimeve radhazi Manchester City, që iu imponua me rezultat minimal (0-1) Southamptonit. Golin e vetëm të sfidës së zhvilluar në “St. Mary’s Stadium” e realizoi Raheem Sterling në minutën e 16-të. Ky sukses e ngjit skuadrën e Guardiolës në vendin e pesë në kuotën e 23 pikëve, tetë më pak se Liverpooli kryesues (ka zhvilluar një ndeshje më shumë).

Top Channel