Arsenali në krizë të thellë rezultatesh. “Topçinjtë” e Londrës u mposhtën 2-1 nga Evertoni duke regjistruar takimin e shtatë radhazi pa fitore në Premier League (5 humbje dhe 2 barazime). Një ecuri vërtet negative për ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta, që pozicionet në vendin e 15-të me vetëm 14 pikë në 14 javë të luajtura. Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti siguroi fitoren e tretë radhazi në kampionat.

Sa i përket ecurisë së ndeshjes, ajo u zhbllokua në minutën e 22-të nga Holding, i cili devijoi në portën e tij, duke i dhënë epërsinë Evertonit.

Arsenali u kundërpërgjigj shume shpejt me Pepen, i cili shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar nga “Topçinjtë” në minutën e 35-të.

Në fundin e pjesës së parë, Evertoni kaloi për herë të dytë në epërsi fali golit të Yerry Minas, që realizoi me kokë pas krosimit nga këndorja të Sigurdsson.

Arsenali ishte i detyruar të shihte më tepër nga sulmi në pjesën e dytë, por “Topçinjtë” nuk e patën qetësinë e duhur për të shkuar deri te goli, kështu që rezultati përfundimtar ishte ai pjesës së parë.

Top Channel