Veliaj ndan certifikata pronësie në Helmes të Kavajës: Ne legalizojmë shtëpitë e qytetarëve të thjeshtë

19/12/2020 15:30

600 certifikata pronësie do t’ju jepen banorëve në fshatin Helmës në Kavajë.

10 prej tyre i ndau sot në mënyrë simbolike drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Kavajën, Erion Veliaj, së bashku me kreun e Kadastrës, Artan Lame.

Kavaja është zonë me numër të lartë ndërtimesh pa leje. Sipas Veliaj ndryshe nga më parë, kur të vetmit që përfituan në këtë proces, ishin pronarë hotelesh dhe resortesh, sot prioritet absolut për legalizim kanë familjarët që nuk kanë mundur të sigurojnë një leje për shtëpitë dhe tokat e tyre.

Sot mund të themi që është zgjidhur problematika e të gjithë Helmësit. Eshtë një arritje dhe punë e madhe, në morinë e mungesës së letrave, të mbivendosjeve, të zyrtarëve të korruptuar, të atyre që jepnin dy herë të njëjtën pronë, të atyre që i  jepnin prioritet pishinave dhe resorteve dhe jo shtëpive të hellexhinjve”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë Artan Lame tha se me legalizimet e sotme numri total i objekteve të legalizuara në vetëm 6 muaj në këtë njësi shkon në 604.

Top Channel