Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, njëherësh edhe Kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare 3-ditore.
Osmani e ftuar ditën e sotme në Kuvendin shqiptar tha se bashkëpunimin mes dy vendeve e ka ndihmuar historia e trishtë që ato kanë kaluar duke falënderuar gjithë ndihmën e Shqipërisë ndaj Kosovës e sidomos gjatë luftës së vitit 1999.
Ajo ka bërë thirrje për qytetarët që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen.
“Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e Kosovës jam në shtetin e shqiptarëve në këtë komb të lashtë. Është nder i madh t’ju flas ashtu siç i flet njeriu familjes së vet. Shqipëria nuk është vetëm atdheu i motrave e bashkëvëllezërve tanë por është ëndrra jonë e përbashkët. Mundëm ta takonim atë vetëm në acarin e Luftës së Ftohtë. Ne ju jemi mirënjohës përjetë. Sot kur unë po gjendem para jush komunikimi ynë po na afron më shumë me njëri tjetrin. Sot kur unë jam pranë jush do ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, duhet të kujtojmë gjakun e derdhur të mbi 3 mijë shqiptarëve. Unë do të kërkoj forcë që historia e Kosovës të mbahet mend e të kujtohet. Të dashur deputetë pavarësia e Kosovës vërtet e ka vulosur fatin tonë por të gjithë Ballkanin. Ne e dimë historinë e kemi në krah këtë rrugëtim. Ata jo vetëm që qëndruan pranë por qëndruan krah nesh deri në ditën e çlirimit. Unë dua të thërras e sidomos të rinjtë, vajzat e gratë që t’i ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen. Një ditë të gjitha ato do të duan të jetojnë në majat më të larta. Ftoj përfaqësuesit politikë që ta kultivojnë këtë besim shqiptar. Duhet të kujdesem që vullneti dallimet në pikëpamje të jenë shtysë. Është thelbësore që të vlerësojmë mesazhin që marrim nga qytetarët”, tha Osmani.
Top Channel