“Klodiani u vra me dashje”/ Prokuroria konkretizon akuzën e re për policin që kreu vrasjen

16/12/2020 15:10
Viktima, Klodian Rasha

Ndaj efektivit Nevaldo Hajdaraj i cili qëlloi për vdekje me armën e shërbimit Klodian Rashën  do rëndoje akuza e vrasjes me dashje.

Prokuroria doli ne ketë përfundim pasi këqyri kamerat e sigurisë dhe aktet e ekspertizës.

Burime të prokurorisë thanë për TCH se efektivi i policisë gjendej shtrire kur ka qëlluar ndaj Klodian Rashës, njeri nga plumbat ranë në qepenin e autoservisit ndërsa i dyti e kapi Klodian Rashën pas shpine. Sipas të dhënave të prokurorisë që do ta konkretizojnë hetimin së shpejti, polici e qëlloi Rashën nga një distancë prej pesë metrash.

Pavarësisht se kolegu i tij thotë se në distancë ka parë që viktima dhe efektivi u përleshën, diçka e tillë nuk provohet nga pamjet filmike. Një sërë oficerësh të pyetur nga prokuroria deklarojnë se u vunë në dijeni nga kulla e komandimit për një person të armatosur që po ndiqej nga forcat shqiponja , duke qene se policët kërkuan ndihmë në radio. Prokurorisë i janë dorëzuar edhe akt ekspertizat për armen minibloë që u gjet në një pellg uji në rrugën At Zef Valentini, që ndodhet në itenerarin e rrugicave ku 25 vjeçari u përpoq ti ikte policisë derisa më pas u qëllua me armë afër shtëpisë.

Hetimi i prokurorisë pritet të saktësohet nëse i përkiste apo jo pistoleta  e braktisur Klodian Rashës, ndërsa deklarohet se nën verifikim janë edhe procedurat që ndoqën policët menjëhere sapo morën shërbimin si dhe gjatë ndjekjes se Klodianit, një aksion i mbyllur me vrasjen e tij.

Prokuroria deklaron se pasi të rikualifikohet akuza nga vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme në vrasje me dashje, ajo do ti komunikohet edhe të dyshuarit ndërsa në dijeni do vendoset edhe familja e Klodian Rashës.

Top Channel