Një eklips diellor që zgjati për rreth dy minuta, zhyti Kilin jugor dhe Argjentinën në errësirë, një ditë më parë. Shirat e rrëmbyeshëm kërcënuan të pengonin mijëra vëzhgues të qiellit në Kili, që të shikonin eklipsin, por në momentin e fundit retë u shpërndanë dhe e bënë fenomenin të dukshëm.

“Ishte diçka shumë e bukur, unike. Në të vërtetë, askush nuk kishte shumë shpresa ta shikonte këtë për shkak të motit dhe reve, por gjithçka ndryshoi në kohën e duhur. Ishte si një mrekulli”, thotë një e re.

Në Patagoni, disa familje dhe të huaj kishin ngritur një kamp me shpresën që do të shikonin eklipsin. Atje nuk kishte shi por era e fortë kërcënonte të prekte shikueshmërinë e eklipsit të dytë të plotë për rajonin në 18 muajt e fundit. Eklipsi u regjistrua në orën 1 pas mesdite ndërsa mijëra turistë dhe banorë ishin mbledhur me shpresën që retë të zhdukeshin në kohë.

Pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve të vendosura nga autoritetet, për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit, rreth 300 mijë turistë mbërritën në rajon. Dhjetëra shkencëtarë profesionistë dhe amatorë, ngritën teleskopët në zonën e vullkanit Villarrica, një prej më aktivëve në Kili, për të vëzhguar fenomenin, kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës. Eklipsi ishte i dukshëm përgjatë një korridori 90 km të gjatë nga bregu në Paqësor i Kilit, përmes Andeve e deri në Argjentinë.

Në korrik 2019, rreth 300 mijë vetë u mblodhën në shkretëtirën Atacama në veri të Kilit, ku gjenden disa observatorë, për të parë eklipsin e atëhershëm.

Top Channel