SHBA, dorëhiqet Prokurori i Përgjithshëm, William Barr

15/12/2020 03:30

Presidenti Donald Trump tha të hënën se Prokurori i Përgjithshëm William Barr do të largohet nga posti në prag të Krishtlindjeve dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Jeff Rosen do të bëhet Prokuror i Përgjithshëm në detyrë.

Zoti Barr, në një letër për Presidentin Trump postuar nga presidenti republikan në Twitter, tha se ai do të largohet nga posti më 23 dhjetor. Letra vjen ndërkohë që zoti Barr kishte informuar presidentin rreth shqyrtimit që Departamenti i Drejtësisë kishte bërë lidhur me aludimet e fushatës së Presidentit Trump për mashtrim të votuesve në zgjedhjet e vitit 2020.

Në të, zoti Barr premton se pretendimet e ngritura nga Presidenti “do të vazhdojnë të ndiqen”. Në letër, zoti Barr vlerëson gjithashtu atë që ai e quan rekord historik të Presidentit Trump, duke thënë se ai ka ndihmuar në rritjen e ekonomisë, forcimin e ushtrisë dhe frenimin e imigracionit të paligjshëm. “Marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë, ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme!” tha Presidenti Trump për zotin Barr në Twitter.

Fati politik i zotit Barr ishte në diskutim që nga java e kaluar, kur ai deklaroi se një hetim i Departamentit të Drejtësisë nuk kishte gjetur asnjë shenjë manipulimesh të mëdha në zgjedhjet e nëntorit, duke hedhur poshtë pretendimet e Presidentit Trump.

Ekipi ligjor i Presidentit Trump e kishte akuzuar zotin Barr se dështoi të kryente hetimin e duhur. Gjatë fundjavës, Presidenti Trump e sulmoi ashpër zotin Barr në Twitter pas një njoftimi në gazetën Wall Street Journal se Prokurori i Përgjithshëm kishte dijeni në fillim të këtij viti për një hetim mbi taksat e djalit të zotit Biden, Hunter.

Presidenti Trump ripublikoi në Twitter një koment të moderatorit të radios, Todd Starnes, i cili thoshte se zoti Barr duhet të shkarkohej. “Një zhgënjim i madh!” shkruante Presidenti Trump në Twitter./VOA

Top Channel