Pesë viktima dhe 329 raste të reja me koronavirus u raportuan në Kosovë gjatë 24 orëve, shifra këto më të ulëta se ditët e kaluara. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se viktimat janë regjistruar në: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Suharekë.

IKSHPK-ja po ashtu tha se 555 vetë janë shëruar. Një ditë më parë, kryeministri Avdullah Hoti njoftoi se institucionet e vendit janë duke u përgatitur për marrjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit.

“Institucionet shëndetësore do të mbeten të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat që do të vendosen për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe mbërritjen e bashkatdhetarëve”, tha Hoti përmes një postimi në Facebook, ku ai tregon për situatën e pandemisë në Kosovë.

“Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to”, tha kryeministri, ndëra shtoi se po punohet në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komunat.

Top Channel