Për të gjashtën ditë radhazi, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të protestuar Klodian Rashën, 25-vjeçarin e vrarë nga efektivi i Policisë së Shtetit, Nevaldo Hajdëraj.
Deri më tani, situata paraqitet e qetë, ndërsa forcat e rendit kanë marrë masat dhe janë vendosur në vende të ndryshme.
Policia që është vendosur në sheshin “Skënderbej” po bën verifikimin e të rinjve që hyjnë në shesh, ndërsa është shprehur e vendosur që do të zbatohen masat anti COVID dhe nuk do të lejohet asnjë grumbullim.
Përmes një njoftimi të dhënë ditën e sotme policia shkruan se është e vetëdijshme për ndjeshmërinë popullore që shkaktoi vrasja e të riut nga dora e një efektivi, por tashmë që protestat kanë degraduar nuk do të lejojë asnjë tubim që shkel masat kundër koronavirusit.
Pas vrasjes së Klodjanit, vendi u përfshi në protesta të cilat agravuan në dhunë. Në Tiranë dje u zhvillua dita e 5 e protestës, e cila ishte më e zbehtë, krahasuar me ditët e tjerë, megjithatë as këtu nuk munguan situatat e tensionit, ku janë hedhur gurë e sende të forta në drejtim të policisë, por nuk kanë shpëtuar as semaforët, sinjalistika rrugore e stacionet e autobusëve.
Top Channel