Kancelarja Angela Merkel dha urdhër për mbylljen e vendit gjatë Krishtlindjes mes një shtimi alarmues të rasteve të koronavirusit në Gjermani.

Sipas masave të reja të emergjencës që do fillojnë nga 16 dhjetori deri me 10 janar, të gjitha shkollat dhe dyqanet jo-të domosdoshme në mbarë Gjermaninë duhet të mbyllen, po ashtu edhe baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura. Në përpjekje për të parandaluar turmat në ambiente të jashtme gjatë periudhës në fjalë, po ashtu është ndaluar edhe shitja e fishekzjarreve dhe pirja e alkoolit në publik.

I vetmi lehtësim është se deri në 10 persona do të lejohen të mblidhen për festimet e Krishtlindjes brenda një shtëpie ndërsa aktualisht lejohen vetëm 5 persona nga dy familje të ndryshme.

Shkalla e infektimeve në Gjermani ka arritur nivele rekord gjatë ditëve të fundit dhe vendi tani renditet i 12-ti në botë për nga numri i rasteve. Por Gjermania nuk është e vetme në këtë qasje të saj.

Në Itali, ku sipas të dhënave zyrtare janë afro 64 mijë viktimat e koronavirusit, kryeministri Giuseppe Conte po shton kufizimet për krishtlindje dhe vitin e ri, por disa epidemiologë thonë se masa ka qenë shumë e vonuar. Qeveria po diskuton mundësinë e një shtrëngimi të ri për festa dhe një kthim të të gjithë vendit në zonë të kuqe. Në fillim të muajit, shumë qeveri evropiane dukeshin të gatshme për zbutjen e masave kundër koronavirusit për periudhën e Krishtlindjes, përkundër paralajmërimeve të shkencëtarëve dhe mjekëve. Por tani, situata duket ndryshe.

Javën që shkoi, edhe kryeministri francez njoftoi se do të shfuqizohej urdhri për izolim, por disa kufizime të rrepta dhe të reja do të mbeteshin në fuqi për Krishtlindje për shkak të të dhënave shqetësuese. Jean Castex tha se shpresonte të hiqeshin shumë rregulla të tjera, por nënvizoi se virusi nuk po e lejonte këtë. Si rezultat, në Francë po vendoset një ndalim qarkullimi i ri që fillon nga ora 8 e mbrëmjes.

Top Channel