Branko Merxhani është një personalitet i letrave shqipe i cili 70 vjet më parë do të hidhte idetë e reja për një Rilindje kulturore për brezin e ri që po edukohej në perëndim.

“Për lexuesin shqiptar Branko Merxhani ka mbetur një emër mes së njohurës e së panjohurës: i ndeshur diku në një revistë të moçme, i ngatërruar me njëfarë Historie të Perandorisë Osmane në Ballkan, ja me disa përkthime mësimesh të Freud-it; emër i lidhur me një artikull të zhurmshëm titulluar,

“Pse nuk jam Marksist”?, apo me një shkrim përkujtimor të paradokohshëm përfund një faqeje gazete. Këtë fat, njohjeje-mosnjohjes, ia plotëson atij edhe prejardhja e vagullt: një qytet anonim i Turqisë, vitlindja e pasigurt aty nga fundi i shek. XIX, guvernantja (a nëna?) gjermane, kolegji anglez (a francez?) në Izmir, studimet për turkologji, studime të tjera në Gjermani (a Austri?), ardhja e parë në Gjirokastër, një shërbim i gjatë në Ankara, kthimi në Tiranë, një pinjoll i mendësisë lindore që u tregon shqiptarëve rrugët e Perëndimit”.

Kështu shkruan një studiues i njohur i veprës së Merxhanit, ndërsa një analist do të shtonte: “Branko Merxhani është një personazh për t’u zbuluar. Ai vetë ka folur pak për jetën e vet, dhe nuk është bërë i gjallë pasi e la Shqipërinë, disa muaj pas pushtimit nga italianët… Pas përmbysjes së komunizmit, janë bërë ca përpjekje të njërit apo tjetrit për të davaritur mjegullën që e rrethon jetën e këtij personazhi të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, por rezultatet kanë qenë minimale. Ai jetoi gjatë, vdiq në vitin 1981, dhe pas, përveç emrit të mirë e punëve të mëdha ka lënë dhe plot pikëpyetje. Pse s’u bë i gjallë? Pse nuk e gjeti një mënyrë për të përcjellë një sinjal se ai ekzistonte? Pse s’e gjeti një mënyrë për të thënë se ç’mendonte për parantezën shqiptare të jetës së tij? Pse askush nuk dinte gjë për të? Pse edhe të bijat kishin një informacion me pikatore për të? A ish Shqipëria e shqiptarët pjesë e mejtimeve të tij në ditët e fundit të jetës? Si vdiq? Kush iu ndodh pranë në momentet e fundit? Pse na la neve të dimë kaq pak për të?”

Duket pra, se janë të shumta pikëpyetjet dhe aq të pakta informacionet rreth tij. Aq më tepër që në kohën kur ai u shfaq, pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase, shfaqja e tij është pritur me shpërfillje, në mos në mënyrë armiqësore. Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre, që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët, ishte pikërisht fakti se ai nuk bëri asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private.

Për të gjitha këto arsye, një dimension i studimit për Merxhanin do të jetë edhe zhvillimi jo vetëm i biografisë së tij, por edhe i natyrës intelektuale, pasioneve dhe ndikimeve socio-filozofike që spikatën në veprën që ai la për shqiptarët. E për të kaluar në një tjetër rrafsh biografie, do të duhet të shqyrtojmë pikërisht përmbajtjen dhe cilësinë trashëgimore të produktit të tij më përfaqësues: doktrinës neoshqiptare.

Kishte edhe parashtrime të tjera ideologjike që u shpalosën në atë kohë; atëherë, cila ishte vallë veçantia e neoshqiptarizmës që ajo arriti të linte, gjurmë të cilat mund të ndiqen edhe sot? Studiues të ndryshëm, krahas këtij etiketimi, kanë dalluar te kjo ideologji edhe “një shkencë që jep një përkufizim special të një shteti të pavarur”. Gjatë kohës që ai punoi, klerikët e veriut e përmendën veprën e tij si një sistem të mbaruar, ndërsa disa të tjerë si aspirues “për krijimin e një shkolle filozofike merxhaniane”. Për rrjedhim, është e natyrshme që një libër si ky, që studion trashëgiminë e tij mendore, t’u japë përgjigje edhe pyetjeve të tilla si: ‘A krijoi një shkollë filozofie, një shkencë apo një sistem?’. E më tej, ideologjia e tij, që asokohe konsiderohej si jorealiste, sot është vallë ende një utopi, një kundër-botë, një botë tjetër, apo një botë ndryshe për shqiptarët? Përgjigjja e pyetjeve të tilla do të përbënte dimensionin e dytë të rëndësishëm të këtij trajtimi.

Të dhëna për librin

Shtëpia Botuese PLEJAD

Fletët 367
ISBN 9789928183507
Viti i botimit 2020
Vendodhja e botimit Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha e leximit mbi 14 vjeç

Top Channel