Shkelja e armëpushimit, Azerbajxhani njofton për katër ushtarë të vrarë

13/12/2020 12:57

Është shkelur sërish armëpushimi i arritur me shumë mundim mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Luftimet në Nagorni Karabak shpërthyen sërish, dukei kushtuar jetën 4 ushtarëve azerë.

Ende nuk ka një reagim nga Armenia, ose aleatët e saj etnikë armenë ndaj këtij njoftimi të bërë nga ministria azere e mbrojtjes. Deklarata nuk jepte shumë detaje, por njoftonte vetëm se vrasjet ndodhën gjatë një “operacioni anti-terrorizëm” pranë Hadrut, një rajon jugor i enklavës malore.Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi forcat azere për sulm ndaj pozicioneve të mbajtura nga forcat etnike-armene pranë Hadrut.

Paqeruajtësit rusë që monitorojnë marrëveshjen e pushimzjarrit, e pranojnë shkeljen e armëpushimit, por nuk thanë se kush ishte fajtor. Nagorni Karabaku i përket Azerbajxhanit, megjithatë territori dhe disa zona përreth janë kontrolluar nga forcat etnike armene që prej fillimit të  viteve 1990. Të dyja palët janë përplasur rregullisht, por shtatorin e këtij viti,  Azerbajxhani nisi një fushatë ushtarake që rezultoi me marrjen e kontrollit të pjesës më të madhe të Nagorno Karabakut dhe rajoneve përreth. Në fillim të nëntorit, u ra dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska, i cili mundësoi  vendosjen e 2.000 forcave paqeruajtëse ruse në zonën e konfliktit.

Top Channel