Kur 90-vjeçarja Margaret Keenan mori vaksinën e parë në botë të autorizuar dhe testuar klinikisht kundër Covid-19 në fillim të kësaj jave, fundi i pandemisë Covid-19 dukej më në fund i arritshëm.

Përpara mbeten disa muaj të vështirë, thotë CNN, por shpërndarja e vaksinës së parë në kohë rekord dhe miratimet e të afërta të të tjerave, përbëjnë një një pikë kthese për vendet e pasura që mund të përballojnë vaksinat. Por, për zyrtarët e shëndetit publik në botën në zhvillim, vazhdon gjiganti mediatik amerikan, kjo është një kujtesë e ashpër se gara për t’i dhënë fund pandemisë vdekjeprurëse do t`i thellojë edhe më shumë pabarazitë. Vendet e pasura, prej muajsh tashmë, bëjnë pazar me vaksinat.

Një bazë të dhënash që përditësohet vazhdimisht  nga Qendra Globale e Inovacionit Shëndetësor Duke, tregon marrëveshje dypalëshe me vlerë miliarda dollarë të siguruara nga një grusht shtetesh për vaksinat që dalin. Disa vende dhe blloqe rajonalë kanë porositur madje doza që mbulojnë më tepër sesa popullatat e tyre. Aleanca e Vaksinave të Popullit, një vëzhgues ndërkombëtar i vaksinave që përfshin Amnesty International dhe Oxfam, tha këtë javë që vendet e pasura kanë blerë doza të mjaftueshme të vaksinave Covid-19 për të imunizuar popullatat e tyre tre herë.

Vetëm qeveria kanadeze ka siguruar mjaftueshëm doza sa për t`i vaksinuar qytetarët e saj pesë apo gjashtë herë, thotë CNN, edhe pse  jo të gjithë kandidatët për vaksina që ka porositur mund të aprovohen për përdorim. Aleanca tregon se ndërsa kombet më të pasura të botës po rrëmbejnë marrëveshjet, gati 70 vende të varfra do të jenë në gjendje të vaksinojnë në rastin më të mirë, vetëm një në 10 njerëz gjatë vitit 2021.

Top Channel