Disa njerëz po gjejnë hobi të reja, të tjerë po vegjetojnë para televizionit, por njerëzit në Estoni kanë zbuluar një mënyrë shumë të pazakontë për të mbajtur moralin lart gjatë kufizimeve për koronavirusin: not në masë në ujëra thuajse të ngrira.

Më shumë se 500 notarë u zhytën në ujërat e akullt të portit të Tallinit në Estoni, në kuadër të një maratone të madhe noti dimëror. Sporti ka rezultuar shumë popullor dhe i ka ofruar estonezëve një mënyrë për të hequr sadopak nga mendja kufizimet e Covid-it.

Pjesëmarrësit kanë notuar secili përgjatë një kursi 25 metërsh, në një ish-port nëndetësesh. Mes notarëve, të moshave të ndryshme spikatën një 9-vjeçar dhe një grua e moshuar 83-vjeçare.

Një nga organizatorët e eventit thotë se izolimi nga koronavirusi në vend ka çuar në një rritje të interesit për sporte. Nga pranvera deri më tani, numri i notarëve në Estoni, sipas tyre është trefishuar.

Top Channel