Ministri Sandër Lleshaj dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti ministrit të punëve të brendshme duke shpjeguar motivet.
‘Tani është momenti për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.
Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijës e familjes së Klodian Rashës, por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë. Ky akt vjen edhe si shenjë falenderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme’- shprehet Lleshaj.
Për akuzat opozitës ndaj tij Sandër Llleshaj thotë.
‘Të aftë për të mos pasur turp as marre përpara asgjëje, ata po përpiqen të përdhosin një mort të dhimbshëm të një djali të ri, të vrarë padrejtësisht nga një punonjës policie që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, për të sulmuar barbarisht policët e tjerë të Shqipërisë dhe institucionet e shtetit tonë.
Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës. Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata’- tha Lleshaj.
Top Channel