Ndërsa kanë mbetur vetëm tre javë nga një Brexit kaotik dhe i kushtueshëm pa marrëveshje, liderët e Bashkimit Evropian dhe Britanisë nuk e mohojnë se janë të mëdha gjasat e një dështimi të bisedimeve tregtare, e madje Kryeministri Britanik Boris Johnson foli për një “mundësi të madhe” të tillë.

Të dyja palët u thanë qytetarëve të tyre që të përgatiten për një tronditje për Vit të Ri, pasi tregtia midis Britanisë së Madhe dhe territorit evropian mund të përballet me kaosin më të madh prej pothuajse një gjysmë shekulli. Komentet pesimiste të Johnson erdhën në kohën kur negociatorët u përpoqën të arrinin përparime të minutës së fundit në bisedimet teknike, në të cilat udhëheqësit e tyre dështuan tre herë në diskutime politike gjatë javës së kaluar.

Duke u përballur me një afat të vendosur pas bisedimeve pa rezultat mes Presidentes së Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Johnson të mërkurën në mbrëmje, të dyja palët e kuptuan se shkëputja që po zgjat katër vjet, mund të përfundojë keq.

“Mendoj se duhet të jemi shumë, shumë të qartë: Tani ekziston një mundësi e fortë – një mundësi e fortë – që të kemi një zgjidhje që do të duket si një marrëdhënie e Australisë me BE-në,” tha Johnson, duke përdorur shprehjen e tij për një Brexit pa marrëveshje.

Një shkëputje e tillë do të kërcënonte qindra mijëra vende pune dhe do të kushtonte dhjetëra miliarda dollarë në tregti.

Top Channel