Fiks Fare/ Prokuroria zbardh skemën: Morava Resort u tjetërsua nga biznesmeni Reli, noterja dhe zyrtarë të Kadastrës

10/12/2020 20:58

Prokuroria ka zbardhur skemën e tjetërsimit të “Morava Resort” në Korçë, duke faktuar provat gjatë investigimit të Fiks Fare në korrik të 2020-ës. Emisioni investigativ faktoi me pamje, zë dhe figurë, se ndërtimet e kryera pas vitit 2017 në atë resort ishin pa leje. Madje, edhe në momentin e xhirimit, në atë pikë po ndërtohej.

Gjashtë ditë pas transmetimit të këtij investigimi, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me numër 5077. Dhe, në fokus të hetimeve ka qenë pikërisht deklarata noteriale para noteres Margena Çela dhe veprimeve të zyrtarëve të ALUIZNI-t. Prokuroria ka sekuestruar praktikat në Bashkinë Korçë, Zyrën e Kadastrës dhe regjistrin e noteres. Këto akte i ka dërguar për kryerjen e ekspertimit tekniko – grafik. Dy ekspertët kriminalistë, Vjolxhin Kuka dhe Durim Çako, kanë dalë në konkluzionin se kjo deklaratë është e falsifikuar.

“Shkrimi emër mbiemër Sefedin Bajraktari dhe nënshkrimi poshtë tij, të përpiluar pranë notere Margena Çela, nuk është shkruar dhe nënshkruar nga shtetasi Sefedin Bajraktari. Deklaratat noteriale, të sekuestruara pranë ASHK Korçë, nuk janë të prejardhura nga dokumenti i titulluar “Deklarat noteriale, të sekuestruar noteres Margena Çela” thonë ekspertët.

Pra, u vërtetua pikërisht investigimi i “Fiks Fare”, i cili në atë kohë denoncoi se pikërisht kjo deklaratë, ishte e falsifikuar. Madje, këtë fakt e konfirmonte edhe një ekspert kriminalist privat. Në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës janë biznesmeni Arben Reli dhe noterja Margena Çela. Kjo e fundit, nuk pranoi tu jepte shpjegime gazetarëve të “Fiks Fare”.

Por, Fiks Fare ka siguruar materialet e dosjes hetimore, ku në pyetje është marrë edhe zonja Çela. “Në lidhje me deklaratën noteriale, dua të sqaroj se këtë deklaratë ma ka sjellë n zyrë shtetasi Arben Reli dhe ajo ishte e gatshme dhe të shkruara në deklaratë” thotë noterja. Por, nga akti i ekspertimit, thuhet se kopjet e deklaratës noteriale të sekuestruara në Bashkinë Korçë dhe ASHK Korçë nuk janë të prejardhura nga origjinali. Nga e kanë origjinën deklaratat e përdorura, madje të fotokopjuara, në bashki dhe ASHK?! “Arben Reli ka ardhur në zyrën time bashkë me shtetasin Sefedin Bajraktari dhe sa më kujtohet deklarata ishte e punuar nga Arbeni! Unë nuk kisha nevojë për të bërë identifikimin e personave pasi njiheshin të prej meje” vijon notërja.

Normalisht, në atë kohë, z.Sefedin Bajraktari ka pasur një pasaportë biometrike dhe znj. Margena Çela duhet t’ia kërkojë personalisht, siç edhe parashikohet nga ligji. “Shtetasi Sefedin bajraktari ka qenë në zyrën time kur është nënshkruar kjo deklaratë dhe ajo është nënshkruar prej tij” thuhet në deklaratën e saj, por akti i ekspertimit tekniko-grafik ka përcaktuar se deklarata nuk është firmosur dhe nënshkruar nga z.Bajraktari!

Prokuroria: Arben Reli falsifikoi dhe mashtroi!

Më 20 tetor 2020, Prokuroria e Tiranës, ka vendosur ndarjen e procedimit penal. Hetimet për falsifikimin pranë noteres Margena Çela do të vijojnë në Tiranë, pasi kjo kontratë është totalisht e falsifikuar. Zonja Çela po hetohet për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, nën hetim sërish për falsifikim dokumentesh, më shumë se një herë, është edhe z.Arben Reli. Ky i fundit është personi që ka përpiluar këtë deklaratë dhe e ka dorëzuar të gatshme në zyrën e noteres! Madje, pasi është bërë nënshkrimi fals, e ka dorëzuar në Bashki dhe Kadastrën Korçë.

“Janë përdorur me qëllim fotokopje për të humbur gjurmët e origjinalit që edhe ai është i falsifikuar. Qëllimi i përdorimit të dokumentacionit të falsifikuar është që të bëhej leja e legalizimit në emër vetëm të shtetasit Arben Reli, duke iu shmangur vëmendjes së bashkëortakut Sefedin Bajraktari” thotë prokuroria. Më tej pohon se  Arben Reli ka përdorur të gjitha mënyrat dhe ja arriti të hedhë pronën të gjithë në emrin e tij, ndonëse rezulton që kishte blerë vetëm 50 % të saj nga shtetasi Sefedin Bajraktari. “Veprimet e tij të njëpasnjëshme, të shtrira në kohë me qëllimin e getëm pr të shtënë në dorë pasurinë e tjetërkujt, ezaurojnë elementë të veprës penalë të mashtrimit me pasoja të rënda, pasi flitet për një pasuri e cila është në vlerë të madhe” thuhet në aktët e prokurorisë.

Nën akuzë edhe zyrtarë të Kadastrës

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës nxorën zbuluar një zinxhir të gjatë të personave që falsifikuan dokumentet dhe mashtruan, me qëllim që të shtinin në dorë një pasuri të madhe. Prokuroria e Tiranës, i kërkon Prokurorisë së Korçës të hetojë z.Arben Reli, drejtorin dhe punonjësit e Kadastrës Korçë.

“Nga ana e punonjësve, dhe e vetë drejtorit Mariglen Disha, është pranuar të bëhej praktika e legalizimit të këtij ndërtimi informal duke u mbështetur në dokumente fotokopje, duke shkelur kështu ligjin për legalizimin. Në kundërshtim me sa parashikohet në ligj, është lëshuar leja e legalizimit vetëm në emër të shtetasit Arben Reli” thuhet në dosja.

Prokuroria ka nxjerrë edhe personat përgjegjës, duke kërkuar që këta zyrtare të hetohen akoma më tej. “Punonjësit e ASHK Korçë, Vasian Qako, Klevis Mero dhe titullari Mariglen Disha, kanë ezauruar elementë të veprës penalë të shpërdorimit të detyrës” vijon akuza. Paralelisht me hetimet e Prokurorisë së Tiranës, një tjetër dosje po hetohet në Prokurorinë e Korçës. Fiks Fare kërkoi informacion nga kjo akuzë dhe mori përgjigje se në këtë akuzë është regjistruar dosja 664 e vitit 2020. “Dosja është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Ndërtim pa leje”, “Prerje e paligjshme pyjesh”. Kjo çështje penale vijon të jetë në hetim” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Korçës. Mësohet se kjo akuzë po kryen një akt ekspertimi për të përcaktuar ndërtimet pa leje në këtë resort. Dhe, krahas këtyre materialeve, në këtë akuzë kanë shkuar edhe disa fashikuj nga hetimet që u kryen në Prokurorinë e Tiranës.

IMT Korçë dhe IKMT Tiranë, “ping-pong” me përgjegjësinë

Ndërtimet pa leje janë mjaft evidente në këtë resort. Por, asnjë prej institucioneve qendrore apo lokale nuk po reagon. IMT Korçë dhe IKMT Tiranë ia kalojnë përgjegjësinë njëra tjetrës, se kush i ka lejuar apo kush duhet t’i prishë. Fiks Fare bisedoi me kryeinspektorin e IMT Korçë, z.Idlir Limllari, i cili tha se, menjëherë pas transmetimit të investigimit, IMT ka shkuar në terren dhe ka verifikuar nëse ka apo jo ndërtime pa leje.

Në Bashkinë e Korçës, Arben Reli, duke përdorur emrin “Morava Resort” ka bërë tre deklarata për kryerje punimesh. Sipas z.Limllari, nga verifikimet që ka bërë, ka rezultuar se punimet janë bërë në kapërcim të këtyre deklaratave. “Janë bërë pa leje” tha ai. Ndërkohë, gazetarët e pyetën nëse kanë mbajtur raport inspektimit, apo të kenë bërë kallëzim penal në prokurori për ndërtim pa leje. Ai tha se, aktualisht në IMT Korçë ka vetëm 1 inspektor. “Me kushtet që jemi aktualisht, nuk mund të mbajmë një raport, pasi do të ishte i lehtë për tu rrëzuar në gjykatë. Ligji e përcakton qartë se duhen 2 inspektorë” tha ai. Më tej pohoi se, vendi vakant i inspektorit të dytë ka që në vitin 2013. Pra, për 7 vite, IMT Korçë nuk funksionon. “Shumë raporte inspektimi na janë rrëzuar në gjykatë” tha ai.

Ndërkohë, Fiks Fare kërkoi informacion edhe në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, e cila thotë se “është detyrë e IMT pranë Bashkisë Korçë kontrolli dhe zbatimi i ligjshmërisë në territorin që ka nën juridiksion”.

Fiksi e pyeti nëse mungesa e një inspektori nga IMT Korçë mund të kishte probleme ligjore. “Aktualisht, ky inspektorit përbëhet nga një inspektor dhe një kryeinspektor, i cili nuk përjashtohet nga detyra për ushtrimin e kontrollit në objekt. Në këto kushte plotësohet numri i nevjoshëm i inspektorëve për kryerjen e kontrollit” thuhet në përgjigjen e IKMT.

Pra, IMT Korçë, ka të gjithë tagrin për të bërë kontrolle dhe për të marrë vendime. Dy institucionet që duhet të mbrojnë territorin, ia kalojnë përgjegjësinë njëra tjetrës, duke shkëmbyer vetëm letra. Madje, pretendimi se, ndërtimet janë në proces legalizimi, janë rrëzuar nga përgjigjja e Kadastrës, e cila përcakton se “asnjë ndërtim pas vitit 2017 nuk është në proces”.

Tatimet dhe QKB-ja: Nuk verifikojmë dot pronësinë!

Ndërtimet pa leje, normalisht janë bërë për përfitim. Dhe, kjo vepër penale, mashtrimi me pasoja të rënda, parashikon një dënim nga 5 deri në 15 vite burg! Pavarësisht se godina kryesore e Morava Resort në Korçë ka dy pronarë, çuditërisht në Tatime dhe QKB biznesi i ri “Montrelux” është regjistruar vetëm me emrin Arben Reli.

Fiks Fare bisedoi me znj. Daniela Liço, drejtoreshë e Tatimeve Korçë, e cila tha se janë bërë disa verifikime për këtë biznes, por nuk mund të jepte të dhëna, pasi ligji e përcakton se këto informacione duhet të jepen vetëm në prokurori dhe gjykatë. Gazetarët e pyetën se kush e verifikon adresën e kompanisë, pasi rezulton se në atë vend janë 3 biznese, ndërsa zonja Liço pohoi se, verifikimet duhet të bëhen në momentin e regjistrimit në QKB. Ajo tha se tatimet merren me bilancin apo me të dhëna të tjera. Më parë, tha drejtoresha, verifikimet i bënte hetimi tatimor.

Fiksi pyeti edhe në QKB, se çfarë dokumentesh duhen për të hapur një biznes. QKB, u dha gazetarëve të Fiks Fare një listë me 6 pika, ku në asnjërën prej tyre nuk parashikohej adresa e kompanisë.

Po si e mori licencën hoteli nga Ministria e Mjedisit? Sipas kësaj shkrese, në momentin e kategorizimit, dokumenti i pronësisë nuk ka qenë i detyrueshëm. Por, duhet të deklarohet më pas. Dhe, deri tani, Montrelux që pretendon 5 yje nuk e ka dorëzuar dokumentin e pronësisë në Ministrinë e Mjedisit. Kjo e fundit pohon se i ka lënë afat deri në datën 31 dhjetor 2020 për këtë dokument, të cilin ortaku Arben Reli nuk e disponon.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel