Protestat që rrëzuan komunizmin, rrëfimet e dy dëshmitarëve të ditëve historike, 30 vite më parë

08/12/2020 16:12

Kur studentët nisën të grumbulloheshin, 3 dekada  më parë në mënyrë të pa organizuar  në këtë shesh të Qytetit Studenti fillimisht për kërkesa ekonomike asnjëri prej tyre nuk ishte i vetëdijshëm  se atë  mbrëmje të 8 dhjetorit 1990  do të niste edhe kthesa e madhe,  rrëzimi i mureve të diktaturës.

“Me shpirt revolte, se e mbaj mend kur u ktheva në shtëpi  thashë në fillim,  Mevlan është ndryshe dhe fillova të qaja për rininë time. Ishte një mrekulli”, kujton  Natasha Lako, ish-dhjetoriste.

Në këtë vend totalisht të rrafshuar, dikur ngrihej godina numër 15 ku nisi edhe shkëndija e Lëvizjes Studentore ish-dhjetoristët, Natasha Lako dhe Afrim Krasniqi  rrëfejnë momentet sesi pushteti i asokohe,  përdorte mënyra dhe forma të ndryshme për të goditur nga brenda protestën.

“Pushteti kishte krijuar edhe hilet e vehta, përshembull jepte 3 dhoma dhe kuzhinë, ose i çonte disa intelektualë jashtë shtetit, i merrte me të mira.  Ishte cdo gjë aq e llogaritur sa hyja unë në shtëpi  me bashkëshortin, ne na binte telefoni, na kërcënonin”, rrëfen Natasha Lako.

“Ne ishim konviktor, student, imagjinoni që në mes të natës të takohesh me Hekuran Isain, që ishte  një prej figurave kryesore e forcave  speciale të asaj kohe dhe të marrësh kërcënime prej tyre. Jeta jonë ishte ne fije të perit, në kuptimin simbolik”, tregon Afrim Krasniqi ish-dhejtorist.

Studentët ecën në një territor tërësisht të panjohur, 30 vite më pas ish- protagonistët e kohës kanë refleksionet e tyre mbi mënyrën e organizimit, drejtimit  dhe rrjedhën e ngjarjeve historike.

“Përshembull unë mund të kem pasur fytyrën më të  dëshpëruar të jetës sime  kur u zgjodh Presidenti. Unë pashë  sesi u sulën njerëz që nuk kishin asnjë lidhje  në atë kohë, me atë që ishte bërë me atë sakrificë, dhe si filluan të zënë kryet e këndeve.  Po festonin ata që kishin qënë një ditë përpara kundër nesh”, kujton Natasha Lako.

“Ne deshëm demokracinë, por nuk e kuptuam demokracinë.  Ne filluam ti mësojmë, por mësimi mori shumë vite, pati shumë kosto, humbëm shumë energji dhe ne padashje prodhuam mini byro politike, mini bllok mini elitë, siç ishte elita e Partisë së Punës”,  shprehet Afrim Krasniqi.

E duam Shqipërinë si gjithë   Europa, është lajtmotivi ndër vite i ish- dhjetoristëve, 30 vite më pas kjo thirrje, mbetet ende aktuale për ta.

“Në atë kohë nuk kishim liri dhe e kërkonim lirinë, sot e kemi lirinë dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë më lirinë dhe nuk e përdorimin lirinë”, thotë Afrim Krasniqi.

“Uroj që në 2021  të na vijë lajmi se ajo ëndrra jonë, e duam Shqipërinë si gjithë Europa të bëhet realitet”.

Top Channel