Klodian Rasha është 25-vjeçari, i cili humbi jetën, pasi u qëllua nga një efektiv i policisë në Tiranë.
Ndërkohë që për këtë të fundit nuk ka ende një vendimmarrje nga prokuroria e Tiranës, që ka marrë përsipër hetimet.
Gazetarja Anila Hoxha, e cila po ndjek ngjarjen raportoi se efektivi i Shqiponjave, gjendet në drejtorinë e policisë dhe po merret në pyetje, por nuk ka ende vendim nga prokurori për të, ndërkohë që SHÇBA tha për Top Channel se efektivi dyshohet se e qëlloi në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.
25-vjeçari u qëllua shumë afër shtëpisë së tij. Ndërkohë arma e Rashës, siç njoftoi policia është gjetur 100 metra nga vendi i ngjarjes, çka tregon se nuk ka patur shkëmbim zjarri me policinë.
Policia në njoftimin për ngjarjen tha se i riu ka pasur probleme me ligjin dhe pretendon se rruga ku ndodhi ngjarja është e pandriçuar. Por banorët thonë të kundërtën. Për gazetaren Anila Hoxha një nga banorët e zonës, tha se rruga ka ndriçimin e duhur.
Babai i viktimës ndërkohë deklaroi për gazetaren Hoxha jashtë kamerave se i biri s’kishte armë dhe s’ka patur asnjëherë, megjithëse ai shtoi se djali ka shfaqur probleme të shëndetit mendor më herët, por që ishte qetësuar tashmë dhe e ndihmonte atë me punët e shtëpisë.
Në lidhje me ngjarjen ai tha se i biri kishte dalë për të pirë kafe, dhe ishte shumë i qetë.
Top Channel