Fiorentina e Cesare Prandellit ka harruar si fitohet, duke u zhytur në një krizë të thellë rezultatesh. Skuadra vjollcë shpërdoroi një mori me raste në sfidën që mbylli javën e 10-të të Serie A, ndaj Genoas në Artemio Franchi dhe vetëm në fund arriti të evitonte humbjen pas një goli të shënuar nga mbrojtësi Milenkovic në minutën e 98-të.

Genoas i iku fitorja nga duart vetëm në sekondat e fundit të shtesës në një ndeshje që arriti të merrte kryesimin me Pjacan në minutën e 89-të, gol që u duk sikur i dha fitoren.

Vlahovic shpërdoroi shumë para porte, ndërkohë që në minutën e 70-të VAR i prishi festën Fiores duke anuluar golin e Bonaventuras për shkak të një faulli të ish-mesfushorit të Milanit. Edhe Genoas iu anulua një gol për pozicion jashtë loje të Destros, ndërkohë që Pjaca me finalizimin e tij u duk sikur fundosi Fiorentinën por Milenkovic i dha pikën e parë në kampionat Prandellit.

Një rikthim i hidhur ky për të në stolin e skuadrës vjollcë, me Fioren që ka marrë vetëm 1 barazim dhe 2 humbje në tre ndeshje me të në stol në Serie A.

Top Channel