Kohët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të qytetarëve që janë prekur nga shantazheve nëpërmjet rrjeteve sociale.

Kjo problematikë ka sjellë shqetësim për qytetarët që janë të prekur drejtpërdrejt, për familjet e tyre, por edhe për autoritetet.
Nëpërmjet një njoftimi policia e shtetit u kërkon qytetarëve që të jenë më të vëmendshëm në komunikime e tyre online si dhe këshillon se çfarë ata duhen të kenë parasysh për të evituar që të jenë viktima të këtyre shantazheve.

Sipas policisë përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë, që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë. Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale, në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre.

Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme.
Pas kësaj autori fillon të shantazhojë personin me bërjen publike të të dhënave të marra duke shfrytëzuar dhe njohjet që ka personi në rrjetet sociale. Për të ndaluar shantazhin dhe për të fshirë të dhënat që ka zotëruar, autori i kërkon personit vlera të ndryshme monetare që duhet t’i dërgohen atij nëpërmjet kompanive të ndryshme financiare. Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.

Aktualisht, sipas evidentimeve që Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, e quajtur njësia “C”, disponon, personat e prekur janë të moshave të ndryshme duke mos u fokusuar në grupmosha të veçanta.
Policia u bënë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes për sa i përket komunikimit në rrjet dhe për këtë të zbatojnë me korrektësi disa masa sigurie gjatë komunikimit, të cilat janë:

➢ Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;
➢ Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;
➢ Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;
➢ Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA