Një politikan i quajtur me emrin e diktatorit nazist gjerman Adolf Hitler ka fituar një vend në parlamentin e Namibisë, por ndryshe nga ‘adashi’ i tij insiston se nuk ka plane për dominimin e botës.
Adolf Hitler Uunona u zgjodh me 85 përqind të votave në vendin ish-koloni gjermane, i cili ende strehon një komunitet gjermanisht-folës dhe ka rrugë, vende apo njerëz që mbajnë emra gjermanë.
Pas fitores së vendit të deputetit me partinë në pushtet SWAPO – e cila ka udhëhequr Namibinë që prej pavarësisë së saj nga Afrika e Jugu në 1990 – politikani tha për të përditshmen gjermane Bild se ai “nuk ka të bëjë asgjë” me ideologjinë naziste.
“Babai im më quajti me emrin e atij njeriu. Ai ndoshta nuk e kuptonte çfarë përfaqësonte Adolf Hitler. Për mua si fëmijë ishte një emër shumë normal. Vetëm kur u bëra adoleshent nisa të kuptoj se ky njeri donte të pushtonte botën”, thote ai.
Politikani thotë se bashkëshortja e quan Adolf, dhe se zakonisht shkon me emrin Adolf Uunona pasi tashmë është “tepër vonë” për ta ndryshuar zyrtarisht.
“Fakti që kam këtë emër nuk do të thotë se dua të pushtoj Oshana”, tha ai, duke iu referuar rajonit ku ka fituar zgjedhjet. “Kjo nuk do të thotë se unë kërkoj dominim botëror”.
Namibia, e njohur më parë si pjesa gjermane e Afrikës jugperëndimore, ka qenë koloni e Gjermanisë nga viti 1884 deri kur perandoria u zhvesh nga zotërimet e saj në fund të Luftës së Parë Botërore.
Hitleri i vërtetë e përdori këtë fakt për të frymëzuar hakmarrjen dhe fitoren e partisë naziste në vitet 1920-të e 1930-të.
Vitin e kaluar një ministër gjerman kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga vendi i tij në Namibi.
Por në gusht Namibia refuzoi një ofertë gjermane prej 10 milionë euro për dëmet e kolonizimit, duke thënë se ‘duhet rishikuar’.
Sot vendi ka një komunitet të vogël gjermanisht-folës, dhe rreth 120,000 gjermanë vizitojnë Namibië çdo vit.
Komuniteti në fjalë ka shprehur shpesh simpati naziste, duke përfshirë dhe një festë të 100 vjetorit të Hitlerit në vitin 1989.
Top Channel