Ndërsa autoritetet franceze përgatiten të paraqesin strategjinë e tyre të shpërndarjes së vaksinës kundër koronavirusit këtë javë, ata po përballen me skepticizëm në vend, ndërsa sondazhet tregojnë se shumë njerëz nuk i besojnë vaksinës. Franca është një ndër vendet më të goditura të Europës nga pandemia e COVID-19-s.

Më shumë se 50,000 njerëz kanë humbur jetën nga virusi. Ashtu si në pjesën tjetër të botës edhe në Francë shpresat janë të mëdha që vaksinat të mposhtin virusin dhe do t’u mundësojnë njerëzve rikthimin në jetën normale. Fushata franceze e vaksinimit pritet të fillojë në fund të dhjetorit duke u dhënë dozat e para të moshuarve, atyre që jetojnë në shtëpitë e azilit dhe personelit mjekësor. Në një fjalim drejtuar vendit, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se një komision shkencor do të mbikëqyrë fushatën e imunizimit dhe do të krijohet një grup i përbërë nga qytetarët për t’u siguruar që popullsia të jetë pjesë e procesit.

Imunizimi kundër COVID-19 duhet të jetë i qartë dhe transparent dhe informacioni duhet të ndahet për ato që dihen dhe për të panjohurat, këmbënguli Macron, i cili theksoi se vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm në Francë. Qeveria është e shqetësuar se miliona francezë do të refuzojnë vaksinat kundër koronavirusit për shkak të rritjes së skepticizmit në vend. Pesëdhjetë e nëntë përqind e francezëve të anketuar thonë se nuk do të vaksinohen, sipas një sondazhi të organizatës IFO, të publikuar të dielën. Franca ka ndarë më shumë se 1.75 miliardë dollarë nga buxheti i vitit të ardhshëm për të blerë vaksina kundër koronavirusit.

Top Channel