Haradinaj e quan të padrejtë vazhdimin e mandatit të Speciales

27/11/2020 14:18

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale dhe gjykimin e krerëve të UÇK-së e quan të padrejtë, pasi konsideron se Kosova është ballafaquar njëherë me akuza të tilla, duke e ditur se UÇK-ja ka bërë luftë mbrojtëse dhe të pastër.

Haradinaj ka thënë se udhëheqësit e saj janë të pafajshëm dhe këtë e dëshmojnë edhe masakrat nga forcat serbe të cilat kanë ndodhur në komunën e Rahovecit dhe disa komuna tjera.

Ndërsa ka uruar bashkëluftëtarët e tij për festën flamurit, daljen e Ushtrisë Çlirimtare në skenë, si dhe pavarësinë e Shqipërisë.

“Duke pasur parasysh se e vërteta e luftës sonë ka qenë një luftë mbrojtëse çlirimtare, që është një luftë e drejtë e pastër dhe që ushtarët e UÇK-së, udhëheqësit e saj janë njerëz të pafajshëm dhe kjo më se miri vërtetohet këtu në Rahovec, pra jemi në vendin e shumë masakrave që i dimë, dy Krushat, Seli, Pastasell, Rahoveci vet, gjithë kjo zonë është martire. Kemi parasysh edhe fatin e të zhdukurve, si rasti i profesorit të nderuar veprimtarit Ukshin Hoti. Vërtet është e padrejtë dhe iu uroj gjithë luftëtarëve, gjithë bashkëluftëtarëve festën e flamurit, pavarësisë së Shqipërisë, por edhe festën e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa thotë se pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuar për këtë rast në mbështetje, por dhe në zbatim të ligjit për mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

“Ne duhet të jemi të bashkuar në këtë rast, jo vetëm Qeveria, po të gjithë, pozitë opozitë, që të mbështesim të gjithë shtetasit e Kosovës, ata janë shtetas të Kosovës, bashkëkombësit tanë, qytetarë të këtij vendi, kuptohet edhe udhëheqës institucional, politik, në këtë rast edhe udhëheqësit e UÇK-së dikur, duhet t’i mbështesim ashtu si ka vendosë parlamenti, pra kemi ligjin për përkrahje, dhe ne duhet ta zbatojmë ligjin dhe jam i bindur që do ta zbatojmë”, ka thënë Haradinaj.

KosovaPress ka pyetur Haradinajn edhe rreth vendimeve të fundit të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, duke thënë se Kosova duhet të bëjë kujdes në konsolidimin tutje, dhe të mos lejohet dobësimi i brendshëm i institucioneve të vendit.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se duhet t’i kushtohet kujdes institucioneve të sigurisë por edhe kalimit të ligjit për rimëkëmbje, pasi që në pandemi po ngarkohet ekonomia e Kosovës, por edhe qytetarët.

Ndërsa kërkon që të votohet projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

“Nuk isha lëshuar në komentimin e këtyre veprimeve të fundit, ajo çka është më rendësi është që Kosova duhet të bëjë kujdes me u konsolidua më tutje, pra mos me e lejua dobësimin e brendshëm. Kujdes duhet të i kushtohet institucioneve të sigurisë, fillimisht mbrojtja është me rendësi, njëkohësisht kalimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike është shumë i nevojshëm, kemi situatën me pandeminë që po e ngarkon qytetarin, po e ngarkon krejt ekonominë, pra jemi në sfida. Kuptohet të gjitha zhvillimet qeverisëse institucionale duhet të bëhen në koordinim të plotë me një vizion që e ka Kosova, që është forcimi i Kosovës, nuk guxojmë të lejohet dobësimi i Kosovës”. Ka thënë Haradinaj.

Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë një vizite në qytetin e Rahovecit, ku mori pjesë në përurimin e një Qendre të Mjekësisë Familjare./Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA