Bashkia Vorë është një ndër vendet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Shumë pallate e ndërtesa u kthyen në gërmadha në vetëm pak sekonda nga tërmeti i fuqishëm që solli 51 të vdekur e 913 të plagosur e mijëra familje pa një strehë mbi kokë. 404 familje që humbën apartamentet dhe shtëpitë në Vorë, sot vazhdojnë të jetojnë me qira të paguara nga qeveria deri në përfundim të rindërtimit.
Prej muajsh tashmë vendi i është nënshtruar rindërtimit të shtëpive të reja që banorët të rikthehen përsëri në vendin e tyre të mëparshëm ku kanë familjarët, shokët e miqtë e tyre. Sot një vit pas tërmetit Vora është kthyer në një kantier ndërtimi.
Pallatet e dëmtuara vijojnë të jenë aty pa asnjë ndryshim, por pa dritaret, të cilat janë vjedhur pas braktisjes së qytetarëve. Shumë prej dyqaneve poshtë pallatit të dëmtuar kanë vazhduar aktivitetin, duke mos u frikësuar se mos do të shembet e të rrezikojë jetën e tyre.
Pluhur, njerëz me maska apo pa to e makina të mëdha që kanë pushtuar rrugët. Edhe pse me një ndryshim të madh nga viti që lamë pas, përsëri banorët e kanë vazhduar jetesën e tyre të përditshme.
Top Channel