Më 29 mars 1873, shkrimtari i famshëm rus filloi punën mbi romanin “Ana Karenina”. Prototip i Ana Kareninës ishte vajza e madhe e Pushkinit, Maria Hartung. Në të vëtetë, ajo nuk u hodh poshtë trenit, madje jetoi edhe nja dhjetë vjet më shumë se Tolstoi derisa vdiq në Moskë, më 7 mars 1919, në moshën 86 vjeçare. Në fillim të vitit 1868, në shtëpinë e gjeneralit Tulubiev, Maria Aleksandrovna u njoh me Lev Tolstoin, cili më vonë do të pasqyronte tiparet e pamjes së jashtme të saj në romanin “Ana Karenina”.

Kunata e Tolstoit (motra e gruas së tij), Tatiana Kuzminskaja, e përshkruan kështu këtë takim në librin e saj me kujtime “Jeta ime në shtëpi dhe në Jasnaja Poljana”: “Kujtoj një mbrëmje te gjenerali Tulubiev. Karantina e skarlatinës kishte përfunduar. Sonja [Sofia Tolstaja] ende nuk vinte tek ne, ndërsa Lev Nikollajeviçi na vizitonte shpesh. Një herë ai erdhi dhe ndenji të kalonte natën. Ne ishim të ftuar në një mbrëmje tek Tulubievët.

-Eja me ne, – i thashë,- se ti njihesh me gjeneralin, kurse Luiza Karlovna është një yll i bukur: e edukuar, muzikante e mrekullueshme dhe një grua tepër e dashur.

– Aq shumë sa po e ngre në qiell, shkojmë pse jo,- tha ai. Tek Tulubievët gjetëm një shoqëri mjaft të madhe. Shumë prej tyre Lev Nikollajeviçi i njihte: Fjodor Fjodoroviç Mosollov, një çifligar i pasur dhe një rritës i njohur kuajsh, kontin Lvov, që kishte qenë në Jasnaja dhe plot të tjerë. Ishim ulur përreth një tavoline çaji të stolisur me shije. Kosherja mondane fillojë të gumëzhijë: po më vinte keq që nuk ishin Arsenjevët, veç kur u hap dera e paradhomës dhe hyri një zonjë e panjohur me një fustan të zi me dantellë. E ecura e saj e lehtë e bënte të lehtë figurën e saj mjaft të plotë, por të drejtë dhe elegante. Më prezantuan me të. Lev Nikollajeviçi ishte ulur ende në tavolinë. E pashë se si ia nguli vështrimin asaj.

-Kush është kjo?- më pyeti duke u afruar.

– Madame Hartung, bija e poetit Pushkin.

– Aha – zgjati zërin ai,- tani e kuptoj… Pa shiko se çfarë kaçurrela arabe ka në zverk. Kur e prezantuan Tolstoin me Maria Aleksandrovnën, ai ndenji tek tavolina e çajit, pranë saj. Se çfarë biseduan unë nuk e di, por di që ajo i shërbeu atij si prototip për Ana Kareninën, jo me karakterin, jo me jetën, por me pamjen e jashtme. Ai vetë ma ka pranuar këtë fakt. Kur po ktheheshim në shtëpi, ishim në qejf. Nuk lamë askënd dhe asgjë pa përmendur, pastaj gjeta rastin dhe bëra shaka: -E di që Sonja do të ishte bërë xheloze me ty për Hartungun.

-Po pse ti, nuk do ta kishe bërë Sashën xheloz?

-Patjetër.

-Epo, edhe Sonja po ashtu, – m’u përgjigj duke qeshur. Mëngjesin tjetër u largua për diku më tej; e kam harruar se ku. ”Sipas shumë versioneve Tolstoi iu vardis më kot Marias, dhe ngaqë mori refuzimin e saj, i përgatiti atë fat të keq heroinës së librit. Le të shohim fragmentin ku shkrimtari i madh përshkruan Ana Kareninën në roman, duke u mbështetur tek figura e Maria Aleksandrovnës: “Ana nuk kishte veshur fustan ngjyrë jargavani… …Në flokët e saj të zinj, ku s’kishte asnjë fije floku të rremë, kishte një kurorëz vjollcash dhe një kurorëz tjetër të tillë e kish citosur në kordelen e zezë të belit, mes dantellave të bardha. Flokët e saj dukeshin sikur qenë krehur pa ndonjë kujdes të veçantë, por ajo që binte në sy, ishin kaçurrelat e vegjël lozonjarë që i binin te zverku e tek tëmthat edhe ia zbukuronin fytyrën. Në qafën e bukur si të skalitur kishte varur një varg me margaritarë.”

(Sipas përkthimit të Vedat Kokonës, “Ana Karenina”, Vol. I, faqe 91, Botimet Kokona, Tiranë, 2006) Por Tostoj i detyrohet Pushkinit jo vetëm me figurën e Anës, por edhe me fillimin e romanit. Biografi i Tolstoit, Pavël Birjukov, për këtë fakt shkruan: “Tezja e Lev Nikollajeviç Tolstoit dergjej e qetë në krevat ku po kalonte ditët e saj të fundit, pasi ishte e sëmurë, kurse i biri i Lev Nikollajeviçit, i lexonte asaj një libër të Pushkinit. Tezen e kishte zënë gjumi, kurse libri mbeti mbi tavolinë. Në këtë kohë hyn Tolstoi, e merr librin në dorë dhe lexon; “Mysafirët u mblodhën në vilë. Salla u mbush me dama dhe burra, që kishin ardhur në një kohë nga teatri, ku jepej një opera e re italiane.” Një fragment krejt i shkurtër dhe Lev Nikollajeviçi flet: “Ja si duhet filluar! Një tjetër do të niste me përshkrimin e rrethanave, kurse Pushkini shkon drejt e te veprimi”. Më tej biografi Birjukov shkruan se, Tolstoi shkoi në kabinet dhe shkruajti frazën e njohur: “Punët ishin si mos më keq në familjen e Obllonskëve” e cila gjysmë viti më pas do të zëvendësohej nga fraza e famshme me të cilën nis kjo kryevepër e letërsisë botërore: “Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njera tjetrës, çdo familje fatkeqe është fatkeqe ndryshe nga të tjerat.” (Sipas përkthimit të Vedat Kokonës)
Në ditarin e saj, gruaja e shkrimtarit, Sofija A. Tolstaja ka shkruajtur: “Serjozha (bëhet fjalë për djalin e tyre të parë, Sergej Lvoviç Tolstoi) këmbëngulte që t’i jepja një libër që t’ia lexonte me zë tetos plakë. Unë i dhashë “Novelat e Bjellkinit” [Bëhet fjalë për librin me novela të Pushkinit “Novelat e të ndjerit Ivan Petroviç Bjellkin”].

Por tezen e zuri gjumi dhe unë, ngaqë përtoja të shkoja poshtë, për ta vënë librin në bibliotekë, e lashë te dritarja e dhomës së pritjes. Të nesërmen në mëngjes, kur po pinim kafe, Lev Nikollajeviçi e mori këtë libër dhe filloi ta shfletojë dhe të mahnitej”. Ndërsa djali i madh i Tolstoit, Sergej Lvoviç shkruan në librin e tij me kujtime: “Kjo ka ndodhur më 19 mars 1873. Isha dhjetë vjeç. Kujtimet e fëmijërisë të ndjekin më gjatë se sa të tjerat dhe unë e kujtoj mirë këtë ditë dhe e kam kujtuar shpesh. Pas leximit, i cili, sipas kujtimeve të mia, nuk u bë lart, në dhomën e pritjes, por poshtë, në dhomën e tetkës unë nuk u largova por fillova ta shfletoja vëllimin e Pushkinit. Fragmenti “Mysafirët u mblodhën në vilë”, m’u duk i mërzitshëm dhe më erdhi keq që nuk vijonte. E vendosa librin në tavolinë, të hapur pikërisht te ky fragment. Hyri babai, mori librin dhe tha: “Ja si duhet shkruar!”. I kujtoj mirë këto fjalë veçanërisht, sepse atëhere ngela pa mend pse atij i pëlqeu ky fragment.
Përgatiti dhe përktheu Bujar Hudhri

Top Channel