Presidenti Ilir Meta ka vendosur kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar”.
Sipas raporteve të komisioneve përkatëse ky projektligj ka si qëllim kryesor të krijojë mundësinë ligjore që strukturat e Policisë së Shtetit të përdorin me efektivitet masa të veçanta, duke bërë ndryshime në nenet 84 dhe 131, të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda si dhe krimeve në fushën financiare, ndërkohë sipas Presidencës, një qasje e tillë e posaçme për këto vepra penale, nuk është aspak e përcaktuar në tekstin e ligjit.
“Presidenti i Republikës pasi vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konstaton se ligji nr. 133/2020:
Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë;
Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;
Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.” thuhet më tej në sqarimin e bërë nga Presidenca.
Arsyet e kthimit te ligjit nr. 133
Top Channel