Djali i vetmuar detyrohet të heqë dorë nga patat shtëpiake prej zhurmës së kakarisjeve (Fotot)

24/11/2020 17:13

Një beqar i vetmuar që bleu dy pata shtëpiake kur e la e dashura gjatë izolimit të koronavirusit, është urdhëruar t’i heqë ato nga shtëpia pas ankesave për zhurmën e kakarisjeve të tyre të forta.

34 vjeçari Sven Kirby nga Leeds në veri të Anglisë, është kërcënuar me një gjobë deri në 5,000 paundë prej zhurmës së vazhdueshme të zogjve të tij të shtëpisë. Ai bleu  Beep Beep dhe Norbert për 40 paundë secilin në qershor dhe prej atëherë ata janë bërë shokët më të ngushtë të Sven.

Ai i lë të lira të bredhin në apartamentin e tij, i vesh bebelina dhe i nxjerr për shëtitje në zonën rezidenciale.

Treshja është shfaqur në gazetat vendase kur një ditë kishin shkuar për një birrë në barin e zonës.

Por tashmë Sven duhet të ndahet prej tyre pas marrjes së njoftimit final nga këshilli i lagjes, ku thuhej se zogjtë po bëjnë shumë zhurmë.

Humbja e tyre për është zemërthyese Sven. Punonjësi adminsitrativ thotë: “I adhuroj patat e mia, kanë një karakter shumë të çiltër dhe të kënaqin si kafshë shtëpie. Më duket sikur shërbimet sociale po më marrin fëmijët me dhunë. Kjo pasi Norbert e Beep Beep më konsiderojnë si nënë ose baba”.

Sven pranon se dy nga fqinjët e tij i kanë bërë të ditur për zhurmën e kakarisjeve, dhe ai është përpjekur t’i vendosë brenda shtëpisë zogjtë natën.

Kur Sven është në punë ato qëndrojnë në kopshtin e shtëpisë së tij, por ankesat kanë vazhduar dhe për zhurmën gjatë ditës.

 

Ai shton: “Ato nisin të kakarisin kur shikojnë dikë që kalon apo kur dëgjojnë diçka, është si një mekanizëm mbrojtjeje për to. Zhurma që bëjnë është pak e lartë, por nuk ndodh gjithë kohën. Por si fqinjët e mi dhe autoritete nuk e kuptojnë që këto janë kafshët e mia shtëpiake, unë nuk po i mbaj si bagëti”.

Sipas lajmërimit të autoriteteve çështja duhet të zgjidhet deri më 8 dhjetor. Sven thotë se ka folur me njerëz që mund të marrin patat për t’i mbajtur.

Një zëdhënës i bashkisë së Leeds tha: “Ne marrim seriozisht çdo ankesë për zhurma në komunitetet tona, që nga sjelljet anti-sociale, muzika e lartë apo zhurmë nga kafshët ose zogjtë”.

FOTO GALERI
2/5
Ai i lë të lira të bredhin në apartamentin e tij, i vesh bebelina dhe i nxjerr për shëtitje në zonën rezidenciale.

Top Channel